REL dënon ndalimin e gazetarëve dhe bastisjet e zyrave në Bjellorusi

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly.

Forcat e sigurisë kanë bastisur zyrat dhe shtëpitë e disa gazetarëve në gjithë Bjellorusinë, duke përfshirë edhe ato të Radios Evropa e Lirë në Minsk.

Dëshmitarët kanë thënë se zyrtarët kanë hyrë në zyrat e Radios Evropa e Lirë në Minsk, më 16 korrik, në kuadër të aksionit për shënjestrim të mediave.

Ndaras, një gjykatë në ish-republikën sovjetike ka dënuar 10 studentë dhe një mësues me dy vjet e gjashtë muaj burgim, për shkelje të rregullit publik, ndërsa një student është dënuar me dy vjet burgim.

Këto kërkime janë kryer dy ditë, pasi autoritetet kanë bastisur zyrat e një morie organizatash për të drejtat e njeriut.

Zyra e Kombeve të Bashkuara e ka quajtur veprimin e autoriteteve bjelloruse, si “plotësisht të papranueshëm”.

“Sërish një sulm masiv nga forcat e sigurisë drejt gazetarëve në gjithë shtetin”, ka thënë Asociacioni i Gazetarëve në Bjellorusi, teksa ka përmendur 19 kërkimet që janë kryer nëpër familjet e gazetarëve më 16 korrik.

Zyrtarët e sigurisë kanë kërkuar edhe nëpër shtëpitë e korrespodentëve të Radios Evropa e Lirë, Aleh Hruzdzilovich dhe Valyantsin Zhdanko.

Hruzdzilovich dhe ish-korrespodentja e Radios Evropa e Lirë, Ina Studzinskaya, akreditimi i së cilës është ndalur në muajin tetor, janë ndaluar.

Gruaja e Hruzdzilovich, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se burri i saj është larguar me dyer të lidhura.

“Telefoni i tij dhe i imi, të gjithë kompjuterët dhe laptopët janë marrë. Kanë qenë nëntë persona. Ata kanë marrë të gjitha paratë, dhe rublat bjelloruse nga xhepi im. Edhe 300 dollarë që kisha për të vazhduar jetesën”, ka shtuar ajo.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, i ka konsideruar këto veprime, “taktika të frikësimit që nuk do të heshtin gazetarinë tonë”.

“Këto bastisje dhe arrestime dëshmojnë dëshpërimin despotik të regjimit të Lukashenkas për të mbetur në pushtet”, ka thënë Fly përmes një deklarate.

SHIKONI EDHE: Tsikhanouskaya: Lukashenka po kthen Bjellorusinë në "Kore Veriore" të Evropës

Svyatlana Tsikhanouskaya, sfiduesja kryesore e Lukashenkas në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, e cila është detyruar të largohet nga Bjellorusia për shkak të presionit, ka thënë më 16 korrik në Twitter se “regjimi shkatërron secilën media që tregon të vërtetën për situatën në Bjellorusi”.

Deri më tani, 32 gazetarë bjellorusë janë në mbajtje, duke kryer dënimin me burgim, apo duke pritur gjyqin, sipas Asociacionit të Gazetarëve në Bjellorusi.

Autoritetet bjelloruse kanë synuar të heshtin kritikët dhe mediat joshtetërore, pas protestave që kanë nisur në gusht të vitit të kaluar, si pasojë e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

Opozita dhe Perëndimi besojnë se Tsikhanouskaya ka fituar zgjedhjet, mirëpo Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë në pushtet.

Që atëherë, ai ka shtypur protestat, ka burgosur gazetarët dhe ka detyruar shumicën e liderëve opozitarë, që nuk kanë qenë të burgosur, që të largohen nga shteti.

Perëndimi ka refuzuar ta njohë Lukashenkan si president dhe ka vënë një mori sanksionesh ndaj tij, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.