Të burgosurat në front: Përpjekja e dështuar e Kremlinit për përforcime në Ukrainë

Gra të burgosura duke kryer trajnime ushtarake në një burg në Nizhny Tagil më 2015.

Në fund të vitit 2022, u publikuan raporte se femrat e dënuara në Rusi -- ashtu sikurse burrat e burgosur -- po rekrutoheshin për të shërbyer në pushtimin e Ukrainës. Rreth njëmijë vajza dhe gra, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, u dërguan në luftë. Disa nga gratë vdiqën; disa u kthyen në shtëpi pasi u falën për krimet e tyre. Radio Evropa e Lirë foli me një nga ato që pati fatin të mbijetojë si dhe u lirua pasi shërbeu në ushtri.

Në verën e vitit 2023, Yelena* u regjistrua për t'iu bashkuar pushtimit rus të Ukrainës nga një koloni burgu në rajonin Lipetsk, në pjesën perëndimore të Rusisë. Ajo po vuante dënimin për drogë. Ajo pranoi të fliste për Radion Evropa e Lirë vetëm pas shumë përpjekjeve për ta bindur, pasi tha se nuk kishte dëshirë t'i rijetonte përvojat e saj.

“Unë nuk kam ndonjë arsimim special. Kam punuar vetëm si shitëse për disa vjet”, tha gruaja.

"Ata nuk kërkuan asgjë [gjatë rekrutimit]. Ata kontrolluan vetëm për moshën dhe shëndetin tim dhe më pas më regjistruan si snajpere. Çfarë shakaje! Kurrë nuk kisha kapur armë me dorë".

Një dhomë ngrënieje në Koloninë Penale nr. 2 të grave në Ulyanovka, në Rusi. Rreth 50 të dënuar nga ky burg nënshkruan kontrata për t'iu bashkuar luftës së Rusisë.

Yelena nuk shkoi kurrë në vijën e frontit.

"Përfundova duke punuar si infermiere për një njësi në rajonin e Donjeckut. Tani mendoj se isha me fat sepse dëgjova se shumë nga to [gratë nga e njëjta koloni burgu] kanë vdekur tani", thotë Yelena. "“Dhe unë isha me fat për atë që bënë, në fakt më liruan. Kisha edhe pesë vjet të tjera për të vuajtur dënimin me burgim".

“Ata nuk na trajnuan për asgjë. Na lanë në njësinë mjekësore dhe kaq. Ata as nuk më pyetën asgjë. Unë ende nuk e di nëse ata i përmbushën premtimet e tyre ndaj dikujt për trajnimin e grave për të qenë snajpere dhe pilote. Vetë unë nuk isha në front me njësinë. Kryesisht, thjesht, gatuaja dhe mbrohesha nga ngacmimet".

Besohet se rreth njëmijë vajza dhe gra të dënuara u regjistruan për të shërbyer në Ukrainë para se programi të anulohej me sa duket nga Kremlini.

Burgu Ulyanovka, nga ku rreth 50 gra të dënuara nënshkruan kontratë për të shkuar në Ukrainë (Fotografi nga arkivi).

Mikja e një tjetër rekruteje i tha Radios Evropa e Lirë se shumica e grave të burgosura të dërguara në luftë ishin të varura nga droga ose alkooli.

"A e kuptoni se çfarë lloj njerëzish janë këta? Këta janë të varur rëndë nga droga; këta janë hajdutë", tha gruaja. "Ndoshta po e teproj kur po them se janë të gjithë të tillë, por ndoshta kështu janë 90 për qind e grave në burg. Ushtria është rekrutuar nga kjo popullsi [e burgjeve].

"I thashë mikes sime, 'A e kupton se për çfarë po regjistrohesh? Do të jesh mish për top atje. Edhe burrat e shëndetshëm po vdesin si mizat në Ukrainë. Pse do të shkosh?!'".

"Pjesa më e madhe e të burgosurave që u regjistruan për të shkuar në Ukrainë janë të droguara pa tru, ëndrra e vetme e të cilave është të dalin dhe t'i blejnë vetes disa çizme të reja. Motivimi i tyre kryesor ishin paratë. Ministria e Mbrojtjes, natyrisht, u premtoi atyre male ari dhe lirim me kusht. Ata, madje, thanë se do të kishte 'lëvdata dhe lavdi', se gratë do të brohoriteshin nga njerëzit kur të ktheheshin, të gjitha këto ishin dokrra".

Gratë e dënuara duke qepur veshje brenda një burgu në rajonin e Moskës në mars të vitit 2022.

Sot, në kolonitë penale ruse gjenden rreth 400.000 të burgosur, ndërsa 8 për qind e tyre (rreth 32.000) janë gra.

Yelena, së cilës iu ndryshua dënimi pasi shërbeu në Ukrainë, thotë se gratë e burgosura paguheshin më pak se sa u ishte ofruar gjatë rekrutimit.

“Ata premtuan gjysmë milioni rubla (5.600 dollarë) për të nënshkruar, dhe më pas 200.000 rubla (2.240 dollarë) çdo muaj. Në fakt, në muaj paguheshin vetëm rreth 100.000 rubla, dhe bonusi i nënshkrimit ishte gjithashtu rreth gjysma e asaj që ishte premtuar”.

Por, mashtrimi me pagën ishte shqetësimi më i vogël i saj.

"Nuk isha e zemëruar, isha e frikësuar. Thjesht, shpresoja të mund të dilja gjallë. Kjo ishte pjesa ku isha e fokusuar", thotë ajo.

"Ishte e tmerrshme, të gjitha ato fytyra të dehura dhe me sjellje të çuditshme. Por, kur u soll grupi tjetër [i të plagosurve], munda të shoh se njerëzit në atë situatë, ishin vërtet në ferr", thotë Yelena.

Një fotografi e nga arkivi e vitit 2017, tregon një grua që i nënshtrohet testimit të kualifikimit në Donjeckun e kontrolluar nga Rusia.

Yelena thotë se kur e nënshkroi kontratën, ajo pati mundësi ta lexonte kontratën derisa ishte në burg. Më vonë, thotë ajo, të dënuarit që kanë shërbyer në luftë, pastaj u detyruan të kthehen në burg.

“Ato fituan para, më pas i kthyen në fjetoret e tyre”, thotë ajo. “Por, ato nuk e dinin këtë! Kjo nuk iu tha atyre gjatë rekrutimit".

Ajo thotë se kontratat ushtarake shpesh u paraqiteshin të dënuarve pasi kishin dalë nga burgu.

“Kështu që i mblodhën të gjitha, i futën në vagonë dhe i çuan diku ku nënshkruan kontrata. Ato nuk i dinin kushtet [në kontratë] sepse nuk kanë kohë t'i lexojnë ato. Në kohën kur ato kuptojnë se nuk do të lirohen me kusht, është tepër vonë. Ato tashmë janë larguar nga burgu.”

Yelena thotë se deri më tani është diçka që dihet në mesin e popullatës së burgjeve se premtimi për lirim me kusht nuk do të pasojë shërbimin në luftë, por shumë të dënuar janë ende të gatshëm të regjistrohen.

Vullnetarët rusë në një transportues të blinduar të personelit në rajonin e Donjeckut në nëntor të vitit 2023.

Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut që punojnë me të burgosurit, ndonëse Ministria e Mbrojtjes rekrutoi gra që pranuan të luftonin, ato nuk u dërguan kurrë në front.

"Eksperimenti i tyre -- për t'i dërguar gratë në front -- ishte një dështim, për ta thënë butë", thotë Marina, një aktiviste e të drejtave të njeriut për nismën e Kremlinit.

"Pamja e jashtme e grave nuk shtoi ndonjë disiplinë", thotë ajo, "dhe ato tashmë kishin mjaft probleme në front me të burgosurit burra që deheshin dhe merrnin drogë".

Një tjetër aktiviste e të drejtave të njeriut tha se rekrutimi i fundit i të burgosurave ishte në shtator të vitit 2023 nga një strukturë në rajonin e Leningradit të Rusisë.

“Ato u strehuan veçmas për tre muaj dhe iu premtuan trajnime, por nuk dihet nëse kjo ka ndodhur ndonjëherë. Në fund, ato nuk u çuan askund për të shërbyer”, tha ajo.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
*Shënim: Personave në këtë tekst u janë ndryshuar emrat për të mbrojtur identitetin e tyre, për shkak të etiketimit nga Rusia të Radios Evropa e Lirë si "organizatë e padëshirueshme".