Rekord i ri i inflacionit në Eurozonë

Një shportë me produkte ushqimore.

Inflacioni në Eurozonë ka prekur rekord të ri në tetor, duke arritur në 10.7 për qind, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Zyra e Bashkimit Evropian për Statistika, Eurostat.

Ekonomistët kanë pritur që shkalla e inflacionit të arrijë në 10.3 për qind.

Inflacioni në tetor është më i larti prej prezantimit të euros më 1999.

Në muajin paraprak, çmimet e konsumit janë rritur për 9.9 për qind.

Ekonomia e Eurozonës është zhvilluar pak më mirë sesa është pritur në muajt e verës, sipas një vlerësimi shtesë të publikuar nga Eurostat.

Në çerekun e tretë, bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) në 19 shtetet anëtare është rritur për 0.2 për qind në krahasim me çerekun paraprak.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftim të pandemisë së koronavirusit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kyçe që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.

SHIKONI EDHE: Inflacionit të lartë në Gjermani "nuk po i shihet fundi"

Disa organizata botërore kanë paralajmëruar se bota mund të përballet recesion global më 2023.

Recesioni përshkruhet si tkurrje e ciklit të bizneset, dhe për pasojë ka rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.