Maqedonia është kthyer në rrugën evropiane pas sfidave të shumta lidhur me krizën politike, por kjo nuk është e mjaftueshme për arritjen e qëllimit final, ka deklaruar në Shkup, komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian Johannes Hahn, pas takimit me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, të cilit i dorëzoi raportin e progresit të Komisionit Evropian.
Hahn tha se Maqedonia ka merituar raportin e pakushtëzuar për çeljen e negociatave dhe se periudha në vazhdim duhet të shfrytëzohet për përmbushjen e të gjitha reformave apo ngecjeve që janë konstatuar në fusha të caktuara.
“Nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi. Dinamika e reformave tani duhet të vazhdoj, veçanërisht në fushat me rëndësi si përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit. Zbatimi i reformave nuk është vetëm për përmirësimin e legjislatives, por edhe për përfitime nga ana e qytetarëve. Keni program të shkëlqyeshëm… keni bërë shumë për miratimin e rregullativës ligjore, por tani e gjithë kjo duhet të zbatohet”, ka deklaruar komisioneri Hahn.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë që ka për Maqedoninë zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë duke paralajmëruar me këtë rast edhe një kompromis të mundshëm në periudhën në vazhdim. Hahn ka thënë se zgjidhja e këtij kontesti ka rëndësi të madhe jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për raportet mes dy vendeve dhe rajonin në përgjithësi.
“Maqedonia dhe Greqia është e mundur që në një të ardhme të afërme të zgjidhin kontestin me emrin. Dy palët janë të përkushtuara në këtë proces, edhe atë në një nivel të lartë dhe është e nevojshme të arrihet marrëveshje që do të jetë në shërbim të interesave të dy shteteve”, ka deklaruar komisioneri Hahn pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, të cilit i ka dorëzuar raportin e progresit me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Por, komisioneri Hahn nuk dha përgjigjen konkrete në pyetjen nëse BE-ja ka plan B, nëse Maqedonia dhe Greqia nuk arrijnë të zgjidhin kontestin.
Kryeministri Zoran Zaev, tha pas takimit se synimi i radhës i qeverisë është marrja e datës për nisjen e bisedimeve.
“Qëllimi jonë i radhës është vendimi për fillimin e bisedimeve mes Maqedonisë dhe BE-së për anëtarësim në Samitin e ministriave në qershor.
"Qeveria në mënyrë edhe më energjike do të vazhdojë me politikën e reformave në dy muaj në vazhdim, që në qershor Maqedonia të merr datën për nisjen e bisedimeve”, ka deklaruar Zaev.
Raporti i progresit i është dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili shprehur bindjen se Maqedonia do të vazhdojë rrugën e reformave për arritjen e synimit përfundimtar, anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
Xhaferi tha se raporti nuk ka asnjë vërejtje për punën e Kuvendit përveç rekomandimin për zbatimin e ligjeve të miratuara.
“Besoj se muajin e ardhshëm, më 17 maj, në Samitin e BE-së në Sofje do të jepen vlerësimet më konkrete rreth kësaj çështjeje dhe deri atëherë mbetet për të gjithë ne që të vazhdojmë më mënyrën siç kemi punuar deri më tani, në rrugën që e presin qytetarët tanë. Unë besoj se subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend do të reflektojnë për të gjitha nevojat që të kryhen në aspektin procedural që të mundet vendi ynë të ecë drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka deklaruar Xhaferi.
Komisioneri Johanes Hahn dhe drejtuesit e institucioneve kanë përshëndetur edhe rolin e opozitës në dhënien e mbështetjen për disa nga ligjet reformuese që janë miratuar disa ditë pas publikimit të raportit të progresit.