Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se vaksinës Johnson&Johnson kundër koronavirusit duhet t’i shtohet paralajmërimi për “mpiksje shumë të rrallë të gjakut”.
Rregullatori evropian i barnave tha të martën se ekziston një “lidhje e mundshme” midis vaksinës dhe mpiksjeve të pazakonshme të gjakut, të raportuara te disa njerëz, pas vaksinimit.
EMA, megjithatë, konstatoi se përfitimet nga vaksina i tejkalojnë rreziqet.
Agjencia doli me komente pasi analizoi tetë rastet e mpiksjes së gjakut, të zbuluara në SHBA.
SHBA-ja ka administruar mbi shtatë milionë doza të vaksinës Johnson&Johnson, përpara se ta pezullonte përdorimin e saj, rreth dy javë më parë.
Është raportuar se tetë rastet ku është shfaqur mpiksja e gjakut, kanë qenë gra të moshës 18 deri në 48 vjeç. Një prej tyre ka vdekur.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja do të analizojë mpiksjet e gjakut pas marrjes së vaksinës Johnson&JohnsonAdministrata për Ushqim dhe Barna e SHBA-së pritet të dalë këtë javë me vendimin final për vaksinën.
Rregullatorët shëndetësorë në SHBA e kanë miratuar përdorimin e saj në fund të shkurtit.
Kjo vaksinë kundër koronavirusit, ndryshe nga të tjerat që janë prodhuar në Perëndim, jepet në një dozë të vetme.
Atë e prodhon firma belge Janssen dhe efektiviteti i saj thuhet se arrin në 66 për qind.
Dy vaksinat që përdor aktualisht SHBA-ja, janë: Pfizer/BioNTech dhe Moderna.
Dy të fundit, plus AstraZeneca, përdoren edhe në Bashkimin Evropian.
AstraZeneca është përcjellë po ashtu me raporte se shkakton mpiksje gjaku.
EMA ka kërkuar që edhe kjo vaksinë të ketë paralajmërimin për mpiksje të rrallë gjaku.
Video:
Your browser doesn’t support HTML5