Polemika rreth regjistrimit të diasporës së Maqedonisë e Veriut

Një pano për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Diaspora nuk do të përfshihet në regjistrin e popullsisë rezidente, por në një grafë të posaçme ku do të qëndrojnë të gjithë shtetasit të cilët për më shumë se një vit jetojnë apo punojnë jashtë vendit. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një debat televiziv ku ka folur edhe për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, që ka nisur më 5 shtator dhe do të përfundojë më 30 shtator.

“Të gjitha ata janë qytetarë tanë, pavarësisht nëse jetojmë brenda apo jashtë vendit. Ata do të përfshihen në regjistrim, por ka një dallim të qartë mes tyre. Do të kemi popullatë rezidente dhe jorezidente. Jorezidentë do të jetë të gjithë ata të cilët për më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit dhe kjo është shumë e qartë”, ka theksuar Zaev.

Sqarimi i tij vjen pas debateve të shumta, por edhe dilemave sesa banorë ka Maqedonia e Veriut, e cila nuk e regjistruar popullsinë që nga viti 2002.

Sipas të dhënave të këtij regjistrimi, vendi numëron rreth dy milion banorë, prej të cilët rreth gjysmë milioni apo afër 25 për qind janë shqiptarë.

SHIKONI EDHE: Regjistrimi i diasporës me ritme të ngadalta

Reagimet që kryesisht vinin nga opozita maqedonase kishin të bënin me pretendimet e tyre se në regjistrimin e popullsisë, pushteti do të përfshijë edhe popullatën jorezidente me çka sipas tyre do të ndryshohej struktura etnike e popullsisë, në favor të asaj shqiptare.

Kreu i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se i vjen mirë që kryeministri Zoran Zaev më në fund pranoi vërejtjen e opozitës që diaspora nuk duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të popullatës rezidente.

Ai, por edhe kryeministri Zaev, thanë se Enti i Statistikës do të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare, përkatësisht Eurostat-it, i cili përcakton qartë modalitetet mbi regjistrimin e popullsisë.

“Kjo është ajo për të cilën ne flisnim gjithë kohën. Me vjen mirë që më në fund edhe kryeministri e thotë atë për të cilën ne po flasim tani një vit. Pra, popullatë rezidente është ajo që jeton brenda vendit dhe ajo do të përfshihet në regjistrimin e popullsisë ndërsa jorezidentë janë gjithë ata të cilët për më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ndërkaq Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës, tha se Maqedonia e Veirut po e regjistron të gjithë popullsinë. Sipas tij, sikur të mos përfshihej në numrin e përgjithshëm, atëherë diaspora fare nuk do të regjistrohej.

SHIKONI EDHE: Regjistrimi i popullsisë përcillet me probleme teknike

“Në bazë të ligjit ne e kemi për obligim të nxjerrim numrin e përgjithshëm të popullatën rezidente, numrin e përgjithshëm të popullatës jorezidente dhe numrin e përgjithshëm të të regjistruarve. Nëse nuk do të hynte në numrin e përgjithshëm të popullatës, atëherë pse ne do të regjistronim diasporën. Pra, sipas ligjit, popullata rezidente dhe ajo jorezidente përbëjnë numrin e përgjithshëm të popullatës. Ne si Ent i Statistikës nuk bëjmë politikë, pra i mbetet politikës dhe partive politike sesi do ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës duke theksuar se regjistrimi po zhvillohet me disa probleme të vogla teknike, por që po evitohen me kohë.

Për probleme të tilla ka folur edhe kryeministri, Zoran Zaev, por ai ka konfirmuar informacionet jozyrtare se bëhet fjalë për sulme hakerësh ndaj sistemit elektronik të regjistrimit.

“Është e vërtetë se ka probleme, kemi pasur sulme serioze hakerësh. Po përgjigjemi me mekanizma mbrojtës dhe regjistrimi po rrjedh. Kjo ndodh edhe në vende tjera, dikush dhe nga brenda bën gjëra të tilla, pasi dikush u jep të dhënat për të sulmuar sistemin. Por, besoj se ky proces do të përfundojë me sukses. Deri tani kemi arritur të regjistrojmë mbi një milion njerëz”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut pritet të publikohen në janar të vitit 2022.