Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky veprim ngjall shpresa të reja se blloku mund të vazhdojë me planet e tij për t'u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.
Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.
Sipas tij, 21 ligjvënës abstenuan.
Bullgaria ka përdorur veton kundër Maqedonisë së Veriut tash e dy vjet, për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës.
Me votimin e së premtes, Parlamenti bullgar mbështeti të ashtuquajturin propozim francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
SHIKONI EDHE: Kovaçevski: Për gjuhën dhe identitetin nuk negociojmëPropozimi parasheh që Komisioni Evropian të jetë garantues i zbatimit të tij.
Sipas propozimit, Maqedonia e Veriut duhet t'i njohë bullgarët në preambulën e Kushtetutës së saj si një nga grupet etnike përbërëse të vendit.
Maqedonia e Veriut e ka bërë të qartë qysh në samitin e krerëve të BE-së, të enjten, se propozimi francez është "i papranueshëm", pasi, siç ka thënë, nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.
Sipas zyrtarëve në Shkup, pala bullgare ka ndryshuar tekstin e propozuar.
Ndryshimet thuhet se kanë të bëjnë me kërkesën për nënshkrimin e një protokolli mes dy vendeve, i cili do ta detyronte Shkupin të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë pakicën bullgare në të, përpara se të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Veç kësaj, Parlamenti i Bullgarisë ka përfshirë në tekst edhe garancitë që i kërkon nga Këshilli Evropian, sipas të cilave, ky i fundit, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duhet ta njoftojë Sofjen me plotësimin e kushteve nga Maqedonia e Veriut.
Bullgaria, gjithashtu, ka përmirësuar draft-kornizën e propozuar, me kërkesën që “asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e ekzistimit të gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë”.
Këto plotësime nuk janë pranuar nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se ato do të nënkuptonin “rrënim të identitetit kombëtar”.
SHIKONI EDHE: Zhgënjimi i Ballkanit me BE-nëMinistri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të premten se i takon Presidencës franceze të vendosë lidhur me propozimin e saj dhe qëndrimet e dy shteteve që janë pjesë e kontestit.
Osmani, paraprakisht, falënderoi Presidencën franceze, e cila, sipas tij, “u tregua shumë e kujdesshme në formulimin e tekstit, duke i kushtuar vëmendje ndjeshmërisë së të dyja palëve”.
Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.
Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.
Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.
SHIKONI EDHE: Opozita maqedonase 'feston' refuzimin e propozimit francez