Më shumë se 320 mijë refugjatë ukrainas në Çeki

Një grup vullnetar duke u ndihmuar refugjatëve ukrainas në Pragë.

Më shumë se 325.000 refugjatë të luftës nga Ukraina, me status të mbrojtur, janë aktualisht në Çeki, ka thënë Ministria e Brendshme e këtij shteti të mërkurën.

Ata që kanë dëshiruar të qëndrojnë në këtë shtet të Bashkimit Evropian, është dashur të regjistrohen në mënyrë elektronike deri në fund të marsit, ka thënë kjo ministri.

Rezultatet kanë qenë në linjë me vlerësimet paraprake, është thënë në njoftim.

Rreth 28 për qind e atyre që kanë kërkuar mbrojtje janë fëmijë, derisa 4 për qind janë të moshuar.

SHIKONI EDHE: Jeta e dyfishtë e fëmijëve që i ikën luftës në Ukrainë

Në mesin e të rriturve, shumica janë gra.

Pjesa më e madhe e refugjatëve është thënë se janë duke qëndruar në Pragë, Bërno dhe Pëllzen.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë, Çekia i ka pasur rreth 10.5 milionë banorë.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt 2022, mbi gjysmë milioni ukrainas kanë kërkuar mbrojtje të përkohshme në Çeki.

Kjo nënkupton se prej atëherë, rreth një e treta e tyre janë kthyer në shtëpitë e tyre, ose janë nisur për në shtete tjera.

SHIKONI EDHE: Rreth 1.1 milion ukrainas shkuan në Gjermani më 2022

Ndërkohë, Ministria e Transportit në këtë shtet, ka bërë të ditur se planifikon t’i regjistrojë të gjitha makinat ukrainase për një periudhë më të gjatë kohore.

Në të ardhmen, pronari i makinës do të mund të identifikohet vetëm në bazë në tabelës me numrin e regjistrimit.

Ky vendim është marrë, pasi autoritetet kanë thënë se nuk janë duke mundur që të gjobisin vozitësit ukrainas, sidomos lidhur me parkingjet.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.