Reformat në sistemin shëndetësor, me gjithë lëvizjet e bëra ndër vite, nuk arritën që të zbatohen në masë të kënaqshme. Zyrtarë të kësaj fushe thonë se po punohet në vazhdimësi në reformimin e sistemit shëndetësor, i cili përfshin disa sfera, por në anën tjetër, zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës deklarojnë se reformat kanë ngecur.
Lista e barnave esenciale, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore në mungesë të kushteve brenda sistemit publik shëndetësor, kanë bërë që shëndetësia të jetë në nivel jo të kënaqshëm.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani tha për Radion Evropa e Lirë se viti 2017 mund të konsiderohet si viti më i rëndë i shërbimeve shëndetësore, për shkak të buxhetit të limituar.
“Klinika Emergjente ballafaqohet me mungesë të barnave, materialit shpenzues dhe pajisjeve mjekësore. Unë kam reaguar që viti 2017 do të konsiderohet si viti më i rëndë i shërbimeve shëndetësore”.
“Sa i përket reformimit të sistemit shëndetësor, asnjë gjë nuk është prekur në avancim apo ngritje të cilësisë së shërbimeve emergjente. Ligji për shërbime emergjente mjekësore ka kaluar, por asnjëherë nuk ka qenë i implementuar”.
“Klinika Emergjente është ballafaquar me mungesë kapacitetesh, mungesë të barnave, stafit e profileve të ndryshme”, tha Lenjani.
Ndryshe, zoti Lenjani ka shtuar se ndonëse politikat shëndetësore në letër janë shumë të avancuara, ai kërkon nga vendimmarrësit që kjo të zbatohet në praktikë.
“Në vitin 2018 planifikojmë të dalim në ndërtesë të re të Klinikës Emergjente, dhe ndonëse në Ministri të Shëndetësisë bëhen politika, ne kërkojmë që ato të implementohen në praktikë, pasi këtu më së shumti preken qytetarët, qoftë nga mungesa e barnave, po ashtu edhe nga mungesa e kapaciteteve mjekësore”.
“Ne asnjëherë nuk kemi mbetur pa barna të linjës së parë që varet jeta e pacientit nga to, por ka shumë barna të linjës së dytë e të tretë, që janë të domosdoshme për pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore, e ato mungojnë”, tha Lenjani.
Në anën tjetër, Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, tha se sa i përket reformimit të sistemit shëndetësor, po punohet me të gjitha kapacitetet, duke potencuar faktin se janë përqendruar në katër shtylla të reformimit.
“Kabineti i Ministrisë së Shëndetësisë, detyrë kryesore ka pasur katër shtylla të reformimit të shëndetësisë, në themelimin dhe funksionalizimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, në ri-organizmin e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe krijimin e raporteve të reja më Shërbimin Spitalor Klinik Universitar si dhe funksionalizimin e Odave të profesionistëve shëndetësore dhe në marrjen e rolit rregullativ të Ministrisë së Shëndetësisë”.
“Nga këto shtylla, me Odat e profesionistëve kemi ecur shumë mirë dhe katër odat i kanë marrë të gjitha kompetencat që ju takojnë me ligj”.
“Është ecur para gjithashtu edhe me fondin e sigurimeve shëndetësore edhe pse nuk është arritur të mblidhen të hollat, janë bërë të gjitha përgatitjet për funksionalizimin e fondit”, tha Krasniqi.
Zoti Krasniqi tutje shton se Ministria e Shëndetësisë po merret me rolin rregullativ dhe bërjen e politikave shëndetësore, dhe jo me punët operative, siç është marrë në të kaluarën.
“Efektet e reformave besoj do të vërehen më vonë, pasi kemi ngecje sa i përket buxhetit, por që është duke u riformuluar lista e barnave esenciale, e që furnizimi do të jetë më i mirë”, tha Krasniqi.
Sidoqoftë, profesionistë të fushës thonë se objektivat janë që reformat në disa sektorë, do të zbatohen dhe realizohen në një periudhë të ardhshme pesë vjeçare, sipas strategjisë sektoriale të shëndetësisë.