Reformat në gjyqësor, peng i ndikimeve politike

Ilustrim

Gjyqësori në Maqedonisë është vënë sërish në thumb të kritikave nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me trysnitë nga jashtë, ndikimet politike dhe mungesën e profesionalizmit.

Raporti i një grupi të ekspertëve ndërkombëtarë, i udhëhequr nga gjermani, Rainhard Pribe, pas një vizitë që ka realizuar në organet gjyqësore dhe pas takimeve me drejtues të institucioneve, ka konstatuar mangësi dhe pengesa të shumta në punën e gjykatave dhe në hetimin e aferave kriminale gjatë pushtetit të kaluar.

Këshilli Gjyqësor, si trup i pavarur, në vend që ta garantojë pavarësinë e gjyqësorit, në realitet pengon autonominë e tyre”, thuhet në raportin e hartuar. Aty nënvizohen edhe pengesat që i bëhen Prokurorisë Speciale në zbardhjen e hetimeve ndaj ish-zyrtarëve të lartë, ndërsa përgjegjësi kërkohet edhe për të gjithë ata që me vite kanë përgjuar në mënyrë ilegale.

Nga Qeveria kanë përshëndetur raportin duke e vlerësuar si real për sfidat shumëvjeçare të cilat i ka trashëguar nga ish-pushteti në qershor të 2017.

Ngecjet në reformat në gjyqësor konstatohen edhe nga ekspertët të cilët për gjendjen e pandryshuar fajësojnë strukturat e mëparshme të Qeverisë, që sipas Osman Kadriut, profesor i së Drejtës Kushtetuese kanë shtrirë ndikimin edhe në gjyqësor.

Edhe pse Maqedonia formoi Prokurorinë Speciale, gjatë kësaj periudhe kemi pasur një aktivitet të dendur, por mjerisht të gjitha ato kërkesa, propozime dhe akuza në bazë të të cilave edhe janë formuar lëndë konkrete, ne nuk kemi asnjë lëndë penalo-juridike të zbërthyer nga Gjykata Penale”.

Parashtrohet pyetje pse?- ndërsa përgjigja është e njohur, ne kemi bllokim të procesit gjyqësor pasi aty vendosin në bazë partiake, aty janë nën presion të partisë e cila deri tani ishte në pushtet, pra të VMRO-DPMNE-së”, thotë Kadriu. Sipas tij, këto janë arsyet pse Maqedonia ka një gjyqësor të politizuar.

Ai vlerëson po ashtu se nëse reformat e proklamuara nuk zbatohen, atëherë përgjegjësisë nuk mund t’i ikë as Qeveria aktuale.

Ne nuk mund të presim rezultate të duhura nëse brenda një kohë shumë të shkurtër nuk bëhen ato që quhen reforma në pushtetin gjyqësor. Mendoj se Qeveria e tanishme ka kapacitet, ka edhe qasje pozitive që të rregullohen dhe të zbërthehen këto probleme. Por, në qoftë se në një afat të kuptueshëm nuk do të ketë rezultate në reformat e gjyqësorit, mendoj se duhet të vihet në pyetje edhe përgjegjësia e vetë Qeverisë”, thekson Kadriu.

Ndërkaq, ish-prokurori Aleksandar Nakov, thotë se zbatimi i shpejt i reformave është më se i domosdoshëm, pasi që në të kundërtën qytetarët do të vazhdojnë të kenë mosbesim të gjyqësorin e ndikuar nga politika.

Është e nevojshme që një orë e më parë ne t’i çlirojmë institucionet e okupuara, këtu mendoj për shërbimet dhe gjithë sistemin e jurisprudencës. Ne këtë duhet ta bëjmë që kriminelët t’i nxjerrim para drejtësisë. Por, që kjo të ndodhë nevojiten edhe masa konkrete, strategji dhe plan i detajuar për reformimin e gjyqësorit që këtë pushtet ta nxjerrim nga kthetrat e krimit”, thotë Nakov. Ai ndalet edhe në rekomandimin e ekspertëve ndërkombëtar të cilët kërkojnë që Prokuroria Speciale të kalojë në kuadër të Prokurorisë e rregullt.

Unë edhe më parë kam menduar për të ardhmen e Prokurorisë Speciale duke marrë parasysh të gjitha vështirësitë që kanë ndjekur punën e saj. Vlerësoj se puna e saj duhet të vazhdon në kuadër të Prokurorisë Republikane apo të veprojë si një departament i veçantë brenda këtij institucioni, pasi vetëm kështu mendoj se do të jetë më efikase në punën e saj për zbardhjen e hetimeve që ka nisur kundër zyrtarëve”, thotë ish-prokurori, Aleksandar Nakov.

Reformat në gjyqësor janë një ndër kushtet në procesin e integrimit euroatlantik të vendit. Përveç shkarkimit të prokurorit, Marko Zvërlevski, i dyshuar për punë joligjore, Qeveria ende nuk ka marrë masa tjera në drejtim të ngritjes së nivelit të gjyqësori të kritikuar.