Nuk kalohet pragu në referendumin e Maqedonisë

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedonasit në referendum

Në referendumin e së dielës në Maqedoni, sipas të dhënave paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime kanë dalë 36.11 për qind e trupit të përgjitshëm votues, apo rreth 585 mijë nga 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.

Të dhënat kanë të bëjnë me 85.7 për qind të materialeve të përpunuara nga vendvotimet. Nga ata që kanë dalë në votime, 532 mijë apo 91.5 kanë votuar “për” kurse 31 mijë apo 5.8 për qind kanë votuar “kundër”.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike me disa parregullsi të vogla, por që janë evituar pas ndërhyrjes së organeve përgjegjëse.

Kryeministri Zaev në konferencë pas referendumit

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev refrendumin e së dielës e ka vlerësuar të suksesshëm pavarësisht daljes së ulët të qytetarëve në votime.

Zaev ka thënë se referendumi paraqet “sukses demokratik për Maqedoninë Evropiane” dhe se koalicioni “do të respektoj vullnetin e atyre që kanë dalë në votime”. Kryeministri i Maqedonisë ka thënë se nëse në Kuvend nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Suksesi është i përbashkët i vendit tonë dhe të gjithë qytetarëve pavarësisht bojkotit të organizuar nga VMRO DPMNE-ja. Pres që shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë votuar të kenë zgjedhur rrugën evropiane për Maqedoninë. Zëri i qytetarëve, vota e atyre që kanë votuar në këtë referendum konsultativ do të shndërrohet në aktivitete politike në Kuvend".

"Vota e qytetarëve në Kuvend duhet të jetë votë që me përgjegjësi t’i vazhdojmë proceset për anëtarësimin përfundimtar në NATO dhe BE dhe për jetë më të mirë për fëmijët tanë. Pres nga deputetët e VMRO DPMNE-së që të respektojnë vendimin demokratik të shumicës së qytetarëve, në të kundërtën nuk do të kemi zgjidhje tjetër, do të duhet të përdorim metodën tjetër demokratike, zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Zaev.

Vlerësime për referendumin ka dhënë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili gjithashtu ka palajmëruar se procesi i zbatimit të marrëveshjes me Greqinë do të kalojë në Kuvend.

“Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhje të ardhshme. Me votën në Kuvend, ne përcaktojmë të ardhmen tonë, të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas nesh, por edhe të ardhmen e rajonit të Evropës Juglindore”, ka deklaruar Ahmeti.

Procesi i votimit është vlerësuar pozitivisht edhe nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, duke uruar institucionet për zhvillimin e qetë dhe demokratik.

“Qytetarët të dielën kanë vendosur të ardhmen e Maqedonisë evropiane. Vota e sovranit është ajo që vendos ardhmërinë e këtij vendi. Shpresojmë se verditki i sovranit është në drejtim të një ardhmërie më të mirë për të gjithë qytetarët dhe se ky verdikt do të jetë bazë për proceset e ardhme në institucionet e sistemit“, ka deklaruar Xhaferi.

Por, ndryshe nga partitë në pushtet, opozita referendumin e ka vlerësuar të dështuar, sikur edhe politikat e kryeministrit, Zoran Zaev.

“Numri i qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje, përkatësisht numri që kanë abstenuar është shumë më i madh se i atyre që kanë votuar marrëveshjen. Populli i tha “Jo” marrëveshjes me Greqinë. Populli tregoi pjekuri të lartë demokratike dhe ndërgjegje patriotike. Populli dërgoi mesazhin e fuqishëm për ruajtjen e emrit të Maqedoninë. VMR DPMNE-ja mbetet me popullin dhe do të fitojmë. Kjo nuk është vetëm se disfatë për referendumin, por edhe për krimin e kësaj qeverie. Qeveria ka humbur legjitimitetin dhe duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve", ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kundërshtuesit e referendumit duke festuar para Kuvendit të Maqedonisë

Ndërkohë, para Kuvendit të Maqedoni, kundërshtarët e referendumit kanë nisur festimin e siç thonë fitores së tyre për bojkotin e referendumit.

Para institucionit ligjvënës janë tubuar disa qindra qytetar në organizim të kongresit botëror maqedonas dhe të partisë pro-ruse “Maqedonia e Bashkuar”. Ata kanë përgëzuar siç thonë “guximin e qytetarëve të cilët nuk Iu përgjigjen thirrjen për të votuar marrëveshjen që kapitulluese për gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas”.

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.

*****

Zaev: Sot festë e vërtetë, pres konfirmimin e politikës euroatlantike

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masovitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësinë politik….Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë PËR pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në.Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese sin ë cdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund.

"Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, ka deklaruar Zaev pas votimit në Strumicë, qytet në jug të Maqedonisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti votimin e të dielës e ka vlerësuar si historik për të ardhmen e vendit, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e qytetarëve. Pas votimit në Zajas të Kërcovës, Ahmeti ka thënë se pret që nga 1 tetori Maqedonia të jetë më pranë BE-së dhe NATO-së.

“Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj se këtij procesi të rëndësishëm qytetarët me qetësinë më të madhe edhe do t'i përgjigjen..Unë pres që qytetarët në këtë referendum të vendosin për të ardhmen e tyre".

"Në të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku ne aspirojmë, pranë Bashkimit Evropian, por edhe pjesë e NATO-s, që Maqedonia të ecë para, por edhe të realizoj qëllimet e veta historike për të instaluar paqen të qëndrueshme, siguri për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, investime e zhvillim ekonomik “, ka deklaruar Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se me votimin e sotëm Maqedonia, sipas tij, do të shkëputet nga e kaluara për të ecur rrugës drejt vlerave evropiane e perendimore.

“Kjo ditë është e rëndësishme për faktin se një herë e përgjithmonë do të kemi një shkëputje nga e vjetra drejt të ardhmes. NATO dhe BE nënkupton më shumë demokraci, më tepër liri, më tepër mendim të lirë, më pak procese të montuara politike, më shumë shtet të së drejtës, më pak drejtësi me dy standarde, më shumë drejtësi për të gjithë dhe ndalje e migrimit që për cdo ditë po e mbyt shoqërinë”, ka deklaruar Sela pas votimit në Strugë.

Votimi u zhvillua në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa u mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.

Referendumi ka karakter konsultues, por bazuar në dispozitat kushtetuese, dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.

Your browser doesn’t support HTML5

Udhëkryqi historik

Referendumi pason marrëveshjen që kanë arritur Maqedonia dhe Greqia, më 17 qershor, në Prespë, për mbylljen e kontestit 27 vjeçar për emrin. Zgjidhja parasheh që Maqedonia të ndërrojë emrin në “Maqedonia e Veriut”.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes presidentit Zaev dhe Tsipras, 17 qershor

Veç kësaj, maqedonasit kanë pranuar se nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antik sikur edhe gjuha maqedonase e cila në bazë të marrëveshjes i takon grupit të gjuhëve sllave.

Si këmbim, Greqia e cila supozonte se Maqedonia ka pretendime territoriale ndaj rajonit të saj verior me të njëjtin emër do të zhbllokoj procesin e anëtarësimit të fqinjit të saj verior në NATO dhe BE.

Por, marrëveshja ka ndarë partitë në Maqedoni në dy blloqe, për dhe kundër marrëveshjes.

Partia e kryeministrit, Zoran Zaev, Lidhja Social-Demokrate dhe partitë shqiptare kanë pranuar marrëveshjen dhe kanë ftuar qytetarët të dalin në referendum dhe të mbështesin paktin me Greqinë, si alternativë të vetme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Kryeministri Zaev gjatë adresimit para popullit maqedonas

Kryeministri, Zaev gjatë gjithë kohës ka mbrojtur marrëveshjen duke theksuar se më të mbrohen interesat kombëtare e shtetërore, si identiteti, gjuha e trashëgimia kulturore maqedonase.

Por, partitë e opozitës të udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit dhe presidenti, Gjorge Ivanov, marrëveshjen e kanë quajtur “kapitulluese”.

Opozita ka vendosur që të mos bëjë thirrje për dalje apo mos dalje në referendum, por kjo në opinion është interpretuar si bojkot në heshtje. Presidenti ndërkohë publikisht ka bërë të ditur se nuk do të votojë.

Marrëveshja ndërkohë mbështetet fuqishëm nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se “votimi më 30 shtator është më i rëndësishmi në historinë e Maqedonisë.”

Ndërkombëtarët këtë mbështetje e kanë reflektuar edhe me vizita të shumta të nivelit të lartë, si ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes, James Mattis.

SHIKONI EDHE: Mattis: Vota në referendum më e rëndësishmja në historinë e Maqedonisë

Fushata e referendumit është përcjell edhe me debatet mbi ndërhyrjen e Rusisë në këtë proces të rëndësishëm për shkak të kundërshtimit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Nga qeveria kanë thënë se nuk posedojnë dëshmi mbi ndërhyrjen e Moskës, por dyshimet ekzistojnë. Këtë e ka theksuar gjatë vizitës në Shkup edhe sekretari amerikan të mbrojtjes, James Mattis.

Nëse kalon në referendum, marrëveshja rikthehet në Kuvend, ku duhet të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me emrin ri të shtetit. Ndryshimet miratohen me dy të tretat e votave, të cilat nuk i ka shumica parlamentare.

Që marrëveshja të bëhet e plotfuqishme duhet të miratohet edhe në Parlamentin e Greqisë, por vetëm pasi pala greke të jetë siguruar se Maqedonia ka përmbushur të gjitha detyrimet e saja.

Emocione të fuqishme para mbajtjes së referendumit në Maqedoni

Your browser doesn’t support HTML5

Emocione të fuqishme para mbajtjes së referendumit në Maqedoni

Procesi votues u mbikëqyr nga 11.907 vëzhgues vendor dhe 493 ndërkombëtar, prej të cilëve 197 nga misioni i OSBE/ODIHR, 35 nga ambasada amerikane dhe të tjerët nga misione tjera diplomatike. Nga vëzhguesit vendor numrin më të madh e ka shoqata për iniciativa qytetare dhe politike me gjithsej 5.574 persona.