Referendumet e rreme ruse në Ukrainë hyjnë në ditën e fundit

Një fletë votimi për referendumet e rreme të aneksimit të katër rajoneve ukrainase. Rajoni i Zaporizhjës, 26 shtator 2022.

Të martën është dita e fundit e votimeve në të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Federatës Ruse. Në katër rajonet ukrainase, pjesërisht të okupuara nga Moska, për pesë ditë me radhë po mbahen votimet për referendumet që po cilësohen si të rreme nga Ukraina, Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara, sepse ato janë joligjore sipas ligjit ndërkombëtar.

Votimet në rajonet e Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjës po mbahen në kohën kur po zhvillohet konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ka pretendime nga disa zyrtarë lokalë se votuesit po kërcënohen dhe frikësohen.

SHIKONI EDHE: Ukrainasit përpiqen të shmangin votën për aneksim që shihet si “mashtrim”

Kievi dhe aleatët e tij kanë dënuar votimet duke i quajtur të rreme dhe Perëndimi ka thënë se nuk do të njohë kurrë rezultatet e të ashtuquajturave referendume, pasi mbajtja e tyre bie ndesh me Kartën e OKB-së. Ukraina, ndërkaq, ka bërë thirrje që Këshilli i Sigurimit të mblidhet më 27 shtator për të diskutuar për këto referendume të rreme.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se votimet janë të “rreme” dhe nuk janë asgjë tjetër “veçse pretekst i rreme për të tentuar që të aneksohen përmes forcës disa pjesë të Ukrainës”.

Liderët e instaluar nga Rusia në këto rajone ku po mbahen të ashtuquajturat referendume, kanë thënë se rezultatet preliminare do të publikohen mbrëmjen e 27 shtatorit apo në ditët në vijim.

Më pas, ligjvënësit rusë do të votonin që zyrtarisht të aneksonin katër territoret, dhe në fund do të duhej nënshkrimi i presidentit rus, Vladimir Putin, që vendimi të miratohej.

Zyrtarët zgjedhorë kanë dërguar kuti të votimit shtëpi më shtëpi dhe në shumë raste ata janë shoqëruar nga forca të armatosura ruse. Zyrtarët thanë se qendrat e votimit do të hapen vetëm gjatë 27 shtatorit, për arsye të sigurisë.

Trupat ruse kanë pësuar humbje të mëdha gjatë këtij muaji, si një lindje ashtu edhe në jug të Ukrainës. Vëzhguesit kanë thënë se këto humbje në fushëbetejë kanë shtyrë Putinin që me nxitim të organizojë këto referendume të rreme, me qëllim që të çimentojë autoritetin e Moskës në këto rajone.

Vëzhguesit i shohin rezultatet e këtyre votimeve si të paramenduara dhe që ndjekin modelin e njëjtë që Moska aplikoi më 2014, kur aneksoi paligjshëm Gadishullin ukrainas të Krimesë, pas protestave masive pro-Perëndimore në Ukrainë, që çuan në rrëzimin e presidentit ukrainas, të afërt me Kremlinin.

Putin po ashtu ka njoftuar se Moska do të mobilizojë deri në 300.000 rezervistë, një vendim që ka nxitur protesta në Rusi dhe ka shtyrë shumë rusë të largohen nga shteti nga frika se do të dislokohen në Ukrainë, në luftën që presidenti rus nisi më 24 shkurt.

Qeveria britanike më 26 shtator sanksionojë 92 individë dhe entitete ruse që kishin role të ndryshme në referendumet e rreme.

“Referendumet e rreme që mbahen nën tytën e armës nuk mund të jenë të lira dhe ne nuk do t’i njohim kurrë rezultatet e tyre”, tha sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, përmes një deklarate.