Kievi tha se votimet e orkestruara nga Moska në katër rajone ukrainase pjesërisht të pushtuara nga Rusia, janë “të pavlera” dhe i bëri thirrje Perëndimit që të rrisë “ndjeshëm” ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Ukraina kurrë nuk do të pajtohet me asnjë ultimatum”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës përmes një deklarate për media.
“Ukraina u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe G7-s që menjëherë të rrisin në mënyrë të ndjeshme presionin ndaj Rusisë, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra dhe rritjen e ndjeshme të ndihmës së tyre ushtarake për Ukrainën”, shtoi ministria.
Zyrtarët e instaluar rusë më herët njoftuan se rezultatet e referendumeve të rreme, mbështetën bashkimin me Rusinë.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të dënuar të ashtuquajturat referendume.
SHBA-ja po ashtu po përgatit një rund të ri të sanksioneve kundër Rusisë nëse ajo anekson territorin ukrainas, por edhe një pako të re të armëve për Ukrainën në vlerë prej 1.1 miliard dollarësh do të shpaloset së shpejti, thanë zyrtarët amerikanë.
Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.
SHIKONI EDHE: Çfarë ndodh pas referendumeve të ashtuquajtura të Rusisë në Ukrainë?Zyrtarët e instaluar nga Rusia pretenduan se rezultatet varijonin nga 87 për qind deri në 99.2 për qind në favor të bashkimit me Rusinë. Kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus tha se kjo dhomë mund ta shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.
“Rezultatet janë të qarta. Mirë se erdhët në shtëpi, në Rusi”, tha Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus që tani shërben si kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe njëherësh është aleat i presidentit Vladimir Putin.
Ndërkaq, më 28 shtator, lideri pro-rus në rajonin e Luhaskut, Leonid Pasechnik, zyrtarisht i kërkoi presidentit rus, Vladimir Putin, që ta aneksoi këtë rajon, pas rezultateve të referendumit të rremë.
Kërkesë të ngjashme bëri edhe Vladimir Saldo, lider i instaluar nga Moska në rajonin e Hersonit.
Në territoret e pushtuara, zyrtarët e instaluar rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se kjo ishte e paligjshme dhe ishte një metodë e frikësimit të votuesve me qëllim që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet ukrainase.
“Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të së martës.
BE-ja dhe NATO-ja dënojnë referendumet e rreme
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi votimet për “aneksimin e paligjshëm” dhe i quajti “të falsifikuara” rezultatet.
“BE-ja dënon mbajtjen e referendumeve ilegale dhe rezultateve false që dolën nga to”, shkroi Borrell në Twitter.
“Kjo është një shkelje e radhës e sovranitetit të Ukrainës dhe integritetit territorial, në mes të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut”, shtoi ai.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se votimet ishin “të rreme” dhe “shkelje e ligjit ndërkombëtar”.
Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg tha se ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 27 shtator dhe “ai kam bërë të qartë se aleatët e NATO-s kanë mbështetje të palëkundur për sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje”.
Më herët, presidenti amerikan, Joe Biden, i ka quajtur referendumet “të rreme” dhe ka thënë se nuk janë asgjë më shumë “sesa pretekst fals për të tentuar aneksimin e pjesëve të Ukrainës përmes forcës”.
SHBA-ja tha se do të prezantojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do t’u bëjë thirrje shteteve anëtare të mos pranojnë asnjë ndryshim për Ukrainën dhe që ta obligojë Rusinë që të tërheqë trupat, tha e dërguara e Uashingtonit, Linda Thomas-Greenfield.
“Referendumet e rreme ruse, nëse pranohen, do të hapin ‘Kutinë e Pandorës’ të cilën ne nuk mund ta mbyllim”, tha ajo gjatë një takimi të Këshillit.
SHIKONI EDHE: Blinken: Putin të mos lejohet të shkatërrojë rendin ndërkombëtarRusia ka fuqinë që të vendosë veto ndaj rezolutës në Këshillin e Sigurimit, por Thomas-Greenfield tha se nëse ndodh kjo, atëherë SHBA-ja do ta dërgojë këtë çështje para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Çdo referendum i mbajtur nën këto kushte, nën tytën e pushkës, kurrë nuk mund të jetë as për së afërmi i lirë apo i drejtë”, tha zëvendësambasadori britanik në OKB, James Kariuki.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha gjatë takimit të Këshillit se të ashtuquajturat referendume janë mbajtur në mënyrë transparente dhe në bazë të normave zgjedhore.
“Ky proces do të vazhdojë nëse Kievi nuk i pranon gabimet e tij strategjike dhe nuk fillon që të udhëhiqet nga interesat e popullit të tij dhe jo të udhëhiqet nga interesat e atyre personave që po luajnë me të”, tha Nebenzia.
SHIKONI EDHE: Britania: Putin pritet të shpallë aneksimin e rajoneve ukrainaseNëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.
Javën e kaluar, Putin tha se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë.
Por, Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zelenskyt, i tha agjencisë Reuters se Kievi nuk do të ndikohet nga kërcënimet bërthamore apo nga votimet për aneksim, por do të vazhdojë me planet e tij për të rimarrë të gjithë territoret që forcat ruse kanë pushtuar.
Ai tha se ukrainasit që kanë ndihmuar në organizimin e të ashtuquajturave referendume do të përballen me akuza për tradhti dhe me të paktën pesë vjet burgim. Ndërkaq, ukrainasit që janë detyruar të votojnë, sipas tij, nuk do të ndëshkohen.
SHIKONI EDHE: SHBA e analizon me "seriozitet" kërcënimin bërthamor të PutinitPakoja e re e SHBA-së
Ndërkaq, pakoja e re e armëve e SHBA-së për Ukrainën do të përfshijë sisteme raketash HIMARS së bashku me municione, disa lloje të sistemeve të dronëve dhe sisteme radarësh. Po ashtu, aty do të ketë edhe pajisje shtesë për armë të ndryshme dhe ndihmë teknike, tha një burim që kishte njohuri për këtë ndihmë të re amerikane.
Por, Rusia sërish ka paralajmëruar SHBA-në kundër armatosjes së Ukrainës.
“Në nxitjen e Kievit që të vazhdojë përdorimin e pajisjeve ushtarake të pranuara nga Perëndimi, Uashingtoni nuk e kupton rrezikun e veprimeve të tij... Hapat tanë për të mbrojtur atdheun do të jenë të vendosur”, tha ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov.
Diplomatët thanë se kërcënimet bërthamore janë përpjekje e Rusisë për ta frikësuar Perëndimin dhe për ta shtyrë që të ulë mbështetjen për Ukrainën.
SHIKONI EDHE: Perëndimi zotohet se do të ndajë edhe 1.5 miliard euro për UkrainënAsnjë nga katër rajonet ku u mbajtën referendumet e rreme nuk janë nën kontrollin e plotë të Rusisë, ndërkaq forcat ukrainase po raportojnë për më shumë përparime, pasi ata larguan forcat ruse nga rajoni i Harkivit gjatë kundërofensivës të nisur më herët gjatë këtij muaji.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rajoni lindor i Donjeckut mbetet ende prioritet strategjik për Ukrainën – dhe Rusinë – dhe luftimet atje janë “veçanërisht të ashpra”.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe Putin ka thënë se qëllimi i luftës është “çlirimi” i Donbasit, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.
Teksa u raportua se Ukraina po shënon sukses në kundërofensivën e saj në Harkiv, më 21 shtator Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm, duke thirrur në luftë 300.000 rezervistë.