Problemi me targat: Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit?

Forcat speciale të Kosovës në vendkalimin kufitar Jarinjë, në veri të Kosovës. Shtator, 2021.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral - KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

SHIKONI EDHE: Targat mbajnë të bllokuar veriun

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Kur ka skaduar afati për targat e diskutueshme?

Periudha pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator, 2021.

“Ky ka qenë afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator. Ai ka thënë se këto targa do të konfiskohen.

Your browser doesn’t support HTML5

Reciprociteti detyron shoferët nga Serbia t’i heqin targat

Çfarë në lidhje me targat me qytetet e Serbisë?

Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”.

“Problemi është se kanë ndalur një makinë me targa të Vranjës dhe më pas i kanë hequr targat e një shteti të njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, sepse nuk u kanë pëlqyer”, ka thënë Vuçiq më 20 shtator, duke shtuar se një gjë e tillë nuk thuhet në asnjë dokument.

SHIKONI EDHE: Politikat e reciprocitetit dhe rruga drejt pragut të konfliktit 

Marrëveshja e Brukselit nuk i përmend shprehimisht kushtet për hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të qyteteve në Serbi.

Teksti i Marrëveshjes nga viti 2011, i cili është publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Kosovës, thotë se “pala kosovare ruan të drejtën që, pas konsultimeve me Bashkimin Evropian, të aplikojë regjimin e targave të përkohshme”.

Masat e reciprocitetit

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Kurti ka thënë në disa raste më herët se do të vendosë masa reciprociteti ndaj Serbisë në të gjitha fushat.

SHIKONI EDHE: SHBA: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet

Për çfarë e akuzon Beogradi Prishtinën?

Pas një takimi të Këshillit të Serbisë për Sigurinë Kombëtare, Vuçiq ka thënë se Prishtina refuzon zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, kryesisht atyre që i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Detajet specifike janë harmonizuar me një marrëveshje të vitit 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2015 se parimet e Asociacionit nuk janë harmonizuar plotësisht me Kushtetutën e Kosovës, por, ka shtuar ajo, ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Ajo çfarë është e diskutueshme, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna ku një bashkësi etnike është shumicë.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Serbia kërkon tërheqjen e trupave “që pushtuan” veriun e Kosovës  

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Deri më tani janë arritur mbi 30 marrëveshje - shumica e të cilave nuk janë zbatuar në terren.

Të dyja vendet e transferojnë përgjegjësinë për moszbatimin e marrëveshjeve te njëra-tjetra.

Çfarë thonë në Bruksel?

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka shprehur shqetësim për situatën në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për shtensionim urgjent.

Ai ka thënë se i ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së për situatën në veri të Kosovës dhe ka përsëritur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të lehtësuar bisedimet “për të gjitha çështjet e hapura” në kuadër të dialogut.

SHIKONI EDHE: Lajçak bën thirrje për shtensionim të situatës në veri

Data për vazhdimin e dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë nuk është caktuar ende.

Përgatiti: Valona Tela