Lëvizja rebele jemenase Huthi tha më 26 mars se ka sulmuar gjashtë anije me dronë dhe raketa gjatë 72 orëve të fundit.
Sulmet, sipas rebelëve Huthi, u kryen në Gjirin e Adenit dhe Detin e Kuq.
Rebelët Huthi kanë sulmuar anijet Maersk Saratoga, APL Detroit, Huang Pu dhe Pretty Lady, që i identifikuan si anije amerikane apo britanike, tha zëdhënësi i rebelëve, Yahya Sarea.
Sarea shtoi se grupi po ashtu ka sulmuar dy luftanije amerikane në Detin e Kuq dhe qytetin Eilat të Izraelit.
Nuk është e qartë nëse ndonjëri nga këto caqe është sulmuar me dronë apo raketa.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja shkatërron raketa dhe dronë të HuthëveRebelët Huthi kanë nisur sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq në nëntor në shenjë solidariteti me palestinezët në Rripin e Gazës pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste.
Sulmet e rebelëve Huthi, që mbështeten nga Irani, ka shkaktuar pengesa në tregtinë botërore, pasi nëpër Detin e Kuq kalon një rrugë e rëndësishme tregtare.
SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar në shenjë hakmarrjeje sulmojnë caqet e rebelëve në Jemen dhe rebelët Huthi kanë thënë se edhe anijet amerikane dhe britanike janë caqe legjitime për ta.