Presidenti amerikan, Joe Biden, është tërhequr prej garës presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Reagimet për këtë vendim kanë qenë të shpejta, nga katër anët e botës.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, mik i mirë i Bidenit, ka thënë se Joe Biden ka qenë një prej presidentëve më të rëndësishëm të Amerikës.
“Sot, neve na është rikujtuar sërish që ai është patriot i nivelit më të lartë”, ka thënë Obama përmes një komunikate.
Biden ka shërbyer si nënpresident në kohën kur Obama ka qenë në krye të SHBA-së.
Ai ka thënë se Biden i ka larguar amerikanët prej katër vjetëve të kaosit, gënjeshtrave dhe ndasive që e kanë karakterizuar administratën e ish-presidentit, Donald Trump.
“Do të lundrojmë në ujëra të paeksploruar në ditët në vazhdim. Mirëpo, kam besim të jashtëzakonshëm që liderët e partisë do të mund të krijojnë një proces për të nxjerrë një të nominuar të shquar”.
Obama ka thënë se e di që Biden nuk do ta merrte këtë vendim për tërheqje, përveç nëse do të ishte i bindur që është më e mira për Amerikën.
“Është testament i dashurisë së Bidenit për vendin”, ka thënë mes tjerash Obama.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se, Biden ka punuar për të “shëruar shpirtin e kombit”.
Të dy i kanë dhënë mbështetje nënpresidentes amerikane, Kamala Harris për t’i hyrë garës presidenciale.
SHIKONI EDHE: Harris: Ne do të fitojmë
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se Biden është patriot amerikan, i cili e ka vendosur gjithmonë shtetin në rend të parë.
“Trashëgimia e tij e vizionit, vlerave dhe udhëheqësisë, e bëjnë atë një prej presidentëve më të rëndësishëm në historinë amerikane”, ka thënë Pelosi përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
J.D. Vance, kandidat i republikanëve për nënpresident, ka thënë se Biden ka qenë “presidenti më i keq në jetën time dhe Kamala Harris ka qenë aty me të në çdo hap”.
“Ajo ka gënjyer për gati katër vjet për kapacitetin mendor të Bidenit”, ka deklaruar Vance, duke u zotuar se ai dhe kandidati i republikanëve për president, Donald Trump janë të gatshëm të “ruajnë Amerikën”, pavarësisht se kush do të garojë nga demokratët.
SHIKONI EDHE: Trump zotohet se do t’i bashkojë amerikanët
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj presidentit Biden.
“Ai po tregon sërish se çfarë lideri i mrekullueshëm është dhe çfarë karakteri ka”, është shprehur Gërvalla në një postim në X.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se respekton vendimin e Bidenit dhe mezi pret të punojë me të për kohën që i ka mbetur në mandatin aktual.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Biden ka arritur shumë: për shtetin e tij, për Evropën, për botën.
“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO-ja është e fortë dhe SHBA-ja është partnere e besueshme për ne”, ka thënë Scholz në X.
Presidenti çek, Petr Fiala, ka thënë se vendimi për tërheqje është i vështirë, mirëpo ashtu edhe i vlefshëm.
“Shpresoj shumë që SHBA-ja të ketë një president të mirë prej garës demokratike”, ka thënë ai.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, e ka lavdëruar Bidenin për udhëheqësinë dhe shërbimin e tij.
“Aleanca Australi-SHBA nuk ka qenë kurrë më e fuqishme, me përkushtimin e dy palëve për vlera demokratike, siguri ndërkombëtare, prosperitet ekonomik dhe veprim për klimën, për këtë dhe gjeneratat e së ardhmes”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “zgjedhjet janë ende katër muaj larg dhe shumë gjëra mund të ndërrojnë”.
“Ne do të jemi të durueshëm dhe të vëzhgojmë me kujdes se çfarë do të ndodhë. Prioriteti ynë është operacioni special ushtarak”, ka thënë Peskov, duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.
Nën administratën Biden, SHBA-ja ka dhuruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë të miliarda dollarëve.