Bota reagon pas kërkesës për fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Prokurori i GJNP-së ka kërkuar që ndaj liderit izraelit të lëshohet fletarrestim.

Pas njoftimit të prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) që synon lëshimin e fletarrestimeve ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka pasur reagime të ndryshme nga politikanë nga e mbarë bota.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë “dënuar” këtë njoftim të prokurorit Karim Khan. Prokurori tha se beson se Netanyahu, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

SHIKONI EDHE: Prokurori i GJNP-së kërkon fletarrestime për Netanyahun dhe liderët e Hamasit

Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi si “të padrejtë” përpjekjen e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të kërkuar urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë.

Në një deklaratë, Presidenti Biden denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar Netanjahun dhe Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk eksiston asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij,” shtoi zoti Biden.

Edhe Mbretëria e Bashkuar u shpreh kundër një kërkese të tillë të Khanit.

“Ky veprim nuk ndihmon sa i përket arritjes së një pauze në luftime, lirimin e pengjeve apo dërgimin e ndihmës” në Gazë, tha një zëdhënës i kryeministrit britanik, Rishi Sunak.

Ndërkaq, kundër lëshimit të fletarrestimeve është shprehur edhe kryeministri i Çekisë, Petr Fiala.

“Propozimi i kryeprokurorit të GJNP-së që të lëshojë fletarrestime për përfaqësuesit e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe liderët e një organizate terroriste islamike është krejtësisht i papranueshëm”, tha ai.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, tha se respekton plotësisht pavarësinë e GJNP-së.

“Megjithatë, fakti që lideri i organizatës terroriste Hamas, i cili ka deklaruar se qëllimi i grupit është të shfarosë shtetin e Izraelit, përmendet në të njëjtën fjali me përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike të po këtij shteti është e pakuptueshme”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Ç'është Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe pse i ka brengosur zyrtarët izraelitë?

Reagim për këtë zhvillim ka pasur edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Kjo organizatë tha se viktimat e shkeljeve serioze në Izrael dhe në territoret palestineze nuk kanë pasur drejtësi për dekada.

“Ky veprim i prokurorit hap derën që ata që janë përgjegjës për mizoritë e kryera muajve të fundit të përballen për veprimet e tyre në një gjykim të drejtë”, tha HRW, duke shtuar se shtetet anëtare të GJNP-së duhet të respektojnë pavarësinë e gjykatës.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.