Grupi militant Shteti Islamik është kryesisht i vdekur; luftëtarët e tij dhe ideologjia do të transformohen në diçka tjetër, në ndonjë vend tjetër, thotë eksperti çek i sigurisë, Lukas Dycka.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dycka - aktualisht ligjërues në Kolegjin Baltik të Mbrojtjes - thotë se vrasja e liderit të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ka ndodhur shumë vonë dhe se do të ishte shumë më e dobishme sikur të ndodhte më herët.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump, njoftoi të dielën se al-Baghdadi është vrarë në një sulm të forcave amerikane në veriperëdim të Sirisë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Dycka, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqës i grupit militant Shteti Islamik, është vrarë. Cili është reagimi juaj?
Lukas Dycka: Tash për tash jam pak i ndarë midis faktit se është një fitore simbolike - mund të jetë një fitore e rëndësishme simbolike - dhe faktit se ka ndodhur shumë vonë. Do të ishte shumë më e dobishme sikur të ndodhte, le të themi, dy vjet më parë, sepse Shteti Islamik është mposhtur në terren dhe tani kjo u shërben vetëm qëllimeve simbolike.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se ka qenë e mundur të ndodhte dy vjet më parë?
Lukas Dycka: Kemi dëgjuar thashetheme për vrasjen e al-Baghdadit së paku pesë herë në vitet e kaluara. Hera e fundit që kujtoj ka qenë fillimi i këtij viti, kur Rusia e ka shpallur (vrasjen e tij). Pra, mund të ketë qenë e mundur më herët. Por, al-Baghdadi është fshehur shumë mirë, ka bërë atë që Al Kaida (lideri i saj) ka bërë; ka ditur se si të fshihet. Dhe, ndoshta për këtë nuk ka qenë e mundur (të vritet) deri më tash.
Radio Evropa e Lirë: Cili do të jetë ndikimi i menjëhershëm në terren i vdekjes së tij?
Lukas Dycka: Është e vështirë të thuhet. Është një fitore simbolike. Efekt i menjëhershëm ndoshta do të jenë betejat midis kurdëve dhe turqve, amerikanëve, rusëve… Kryesisht do të mbetet në nivel simbolik. (Shteti Islamik është mposhtur). Nuk mendoj se do të ketë ndonjë efekt në luftimet kundër Shtetit Islamik.
Radio Evropa e Lirë: Po, a ka shqetësime se militantët e Shtetit Islamik do të përpiqen të tregojnë se “ne jemi ende këtu”?
Lukas Dycka: Dyshoj. Ata kryejnë sulme, çdo javë ka raporte për të tilla që thuhet se kryhen nga militantët e Shtetit Islamik, por, në anën tjetër, këto sulme janë shumë më pak të dukshme seç kanë qenë disa vite më parë. Mendoj se do të vazhdojnë, por vetë organizata është kryesisht e vdekur.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan, Donald Trump, tha sot (të dielën) se bota është më e sigurt tani. Ju, pajtoheni?
Lukas Dycka: Ata thonë se Shteti Islamik është mposhtur, porse idelogjia mbijeton. Mendoj se ka ende potencial për lëvizjet xhihadiste (të grupit), por dyshoj se do të ketë të tilla në Lindjen e Mesme. Më shumë do t’i prisja diku në Afrikën Veriore.
Radio Evropa e Lirë: Sapo thatë se Shteti Islamik është mposhtur, por ideologjia e tij mbijeton. A do ta dobësojë vdekja e al-Baghdadit këtë ideologji?
Lukas Dycka: Ndoshta jo. Varet nga konteksti. Vdekja e al-Baghdadit është e rëndësishme për lokacionin gjeografik ku ka ndodhur. Unë pyes veten përse është vrarë në një rajon që supozohet se kontrollohet nga rebelë të moderuar?! Me gjasë mund të jetë mbuluar nga diksuh dhe kjo flet për vetë ideologjinë. Për aq kohë sa ka një lloj mbështetjeje nga shteti apo nga diskush nga bota e jashtme, (kjo ideologji) do të mbijetojë. Pa të nuk do të ishte e mundur.
VIDEO: Deklarata e presidentit Trump për vrasjen e liderit të IS-it
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: Cila është fuqia e Shtetit Islamik sot?
Lukas Dycka: Shteti Islamik tani është një organizatë e vogël. Është hije e vetes së saj. Militantët janë në gjendje të operojnë përgjatë kufijve (të Sirisë) me Izraelin dhe Jordaninë, por nuk kontrollojnë më ndonjë territor apo ndonjë pjesë të rëndësishme të Sirisë. Pra, ata janë dobësuar. Kjo nuk do të thotë se ideologjia nuk ekziston, por Shteti Islamik si organizatë është kryesisht e harruar.
Radio Evropa e Lirë: A do të përpiqen të bëjnë gjithçka të mundur për të mbijetuar?
Lukas Dycka: Dyshoj. Nuk mendoj se për luftëtarët e Shtetit Islamik është më interesante të luftojnë për brendin që tashmë kanë humbur. Shteti Islamik ka qenë një brend dhe nëse ai brend humb, ju nuk doni të luftoni për të, ju përpiqeni të shihni për brende të tjera, ose organizata të tjera gjetkë. Vetë Shteti Islamik ndoshta do të zhduket. Luftëtarët e tij dhe ideologjia do të transformohen në diçka tjetër, në ndonjë vend tjetër, varësisht nga konteksti dhe mundësitë.
Radio Evropa e Lirë: Ka edhe një numër të madh të shtetasve evropianë që kanë luftuar në krahë të Shtetit Islamik. Çfarë do të ndodhë me ta?
Lukas Dycka: Varet. Disa nga ta do të përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse janë të zhgënjyer. Kanë pritur diçka tjetër nga Shteti Islamik dhe kjo nuk është materializuar. Të tjerët, qofshin nga Evropa, apo Kaukazi i Rusisë, do të përpiqen të zhvendosen në nodnjë vend tjetër në luftë, në ndonjë vend që është në kaos, dhe do të përpiqen të përsërisin atë që Shteti Islamik ka bërë në Siri dhe Irak.
Radio Evropa e Lirë: Sa të rrezikshëm do të jenë për Evropën ata që do të kthehen?
Lukas Dycka: Nëse kthehen pa u vërjetur, mund të jenë potencialisht të rrezikshëm. Por, nuk do ta mbivlerësoja rrezikun që mund të paraqesin. Sepse, nëse janë zhgënjyer, do ta vlerësonin kthimin në një ambient të sigurt në Evropë. Natyrisht se kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i trajtojmë (rastet e tyre). Duhet t’i trajtojmë. Por, unë më shumë do të shqetësohesha nga luftëtarët që nuk kthehen dhe duan ta vazhdojnë lufttën e tyre diku tjetër në botë.