Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Donjeta Pajazitajt

Ilustrim.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin me inicialet N.P, për veprën penale “vrasje e rëndë”, përkatësisht për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor, 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, i pandehuri N.P, e kishte marrë me veturë viktimën, e cila ishte nisur për në punë dhe e kishte dërguar në drejtim të bjeshkëve të Strellcit.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.

Trupi i pajetë i Pajazitajt, u gjet më 17 dhjetor të vitit 2015.

I pandehuri me inicialet N.P. është kushëri i familjes Pajazitaj.

Ai fillimisht ishte liruar nga akuzat për mungesë të provave. Në mars të vitit 2019, N.P u gjet fajtor dhe u dënua me burg të përjashtëm, por rasti u kthye në rigjykim.

Gjykata Themelore e Ferizajt thotë se palët kanë afat prej 15 ditësh që ta apelojnë vendimin, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë.