Maqedoni: Kërkohet drejtësi për Almir Aliun

Your browser doesn’t support HTML5

Mijëra qyetarë në Maqedoni kanë protestuar para Qeverisë për të shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Prokurorisë Publike që rastin e vdekjes së Almir Aliut, ta rikualifikojë nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”, për rastin e vdekjes së Almir Aliut.

Reagime të ashpra janë nxitur në opinion pas vendimit të Prokurorisë Publike që pas një viti të seancave gjyqësore për vrasjen e katërvjeçarit, Almir Aliu, të ndryshojë veprën penale nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”.

Ngjarjes që kishte ndodhur më 25 qershor të 2016-s, i kishte paraprirë një zënkë banale mes autorit të krimit Boban Iliq dhe familjarëve të viktimës.

Pas një rrahjeje mes tyre, pranë urgjencës së qytetit, autori i veprës Iliq, kishte goditur me makinë e tij Almirin 4-vjeç, i cili kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërkaq prindërit e tij kishin marrë lëndime të rënda trupore.

Protestuesit, të cilët kishin ardhur nga e mbarë Maqedonia, në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë kanë vendosur lodra dhe gjësende të tjera, për të përkujtuar, siç thanë organizatorët e protestës, autoriteteve qeveritare se për çka duhet të angazhohen dhe që drejtësia të vihet në vend.

“Para syve tonë, pa turp organet e drejtësisë vrasjen e Almirit të vogël e rikualifikuan lëndën. Jemi këtu të tregojmë se këtë nuk do ta lejojmë. Boban Iliq është vrasës sepse ai duket qartë se si e kreu vrasjen. Rasti për Almirin do të gjykohet në mënyrë të drejtë, vetëm nëse fillon nga fillimi e gjithë procedura gjyqsore nga gjykatës të paanshëm”, ka thënë Diana Tahiri, një nga organiztaorët e protestës.

Protesta në Maqedoni për rastin e Almir Aliut

Ndërkaq, nëna e Almir Aliut, Mixhehere Aliu para protestuesve është shprehur se protestat nuk do t’ia kthejnë djalin, por ka dalë për të protestuar që sistemi i drejtësisë të dënojë kriminelët dhe mos t’i fsheh nën petkun e rikuafilimit të lëndës.

“Nuk jam këtu vetëm për Almirin tim, por për të gjithë fëmijët që rezikohen nga ai kriminel (Boban Iliq), të cilin organet shtetërore të sigurisë e kanë lënë të lirë. Almiri im nuk do të kthehet, por të paktën fëmijët e juaj të jetojë të lirë sepse djalit tim keqbërësi ia ndaloi rritjen ende pa i mbushur katër vjet”, ka thënë Mixhehere Aliu.

Protestuesit me brohoritje ‘Kërkojmë drejtësi për Almirin’ dhe ‘Pa përgjegjësi s’ka qetësi’ janë drejtuar para Gjykatës Themelore të Shkupit, me ç’rast kanë kërkuar “shkarkimit të menjëherëshëm të kryeprokurorit Ljubomir Joveski, pasi ka qëndrime identike me ish-prokurorin Marko Zvrëlevskin”.

Oragnizatorët e protestave kanë kërkuar përgjegjësi edhe nga kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, i cili, sipas tyre, jo vetëm që nuk ka arritur të realizojë reformat në drejtësi, por “lejon që dretjësinë ta ndajnë gjykatësit e njëjtë që jantë përfshirë në afera korruptive”.

Në mesin e protestuesve ishin të pranishëm dhe përfaqësues të partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë.

E gjithë protesta është përcjellë nga forca të shtuara të forcave speciale policore.

Ndryshe, Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Bilent Saliu, të martën në mbrëmje ka dhënë dorëheqje nga posti për arsye morale, pas vendimit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Kumanovës për rikualifikimin vepërës për rastin “Almir Aliu” nga “vrasje me paramendim” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

“Për shkak të lëkundjes së besimit në gjyqësor në rastin e vogëlushit Almir Aliu, unë si i pari i drejtësisë në vend, ndjej obligim moral të jap dorëheqje nga posti i ministrit të Drejtësisë, si akt që besoj se do të jetë sensibilizues edhe më i madh i vëmendjes së institucioneve dhe i gjithë shoqërisë në luftën e pakompromis për reforma në gjyqësor”, ka deklaruar Saliu, i cili në postin e ministrit ishte caktuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.