Situata me COVID-19 në Olimpiadë është “nën kontroll”

Një roje qëndron pranë qendrës kryesore mediale të Lojërave Olimpike Dimërore "Pekini 2022". Pekin, 24 janar 2022.

Situata me pandeminë në Lojërat Olimpike Dimërore është “nën kontrollin e pritur”, pavarësisht rritjeve të rasteve pozitive, tha një zyrtar nga Zyra për Kontrollin dhe Parandalimin e Pandemisë në Lojërat që mbahen në Kinë.

Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, që prej 23 janarit ka raportuar mbi 200 raste me COVID-19 të pjesëmarrësve që kanë ardhur në lojëra. Personat e infektuar janë të izoluar dhe të ndarë nga personeli organizativ, përfshirë edhe atletët.

“Teksa më shumë njerëz hyjnë në Kinë, rastet e importuara me COVID-19 po rriten”, tha Huang Chun, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Zyrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Pandemisë.

SHIKONI EDHE: Pekini regjistron rritje të shkallës së infektimit me koronavirus

Huang tha se rritja e rasteve po ashtu ishte rezultat i detektimit më efikas të përdorur nga zyrtarët kufitarë.

Shumë atletë janë ndaluar që të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, që do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt, pasi kanë rezultuar pozitivë me të arritur në aeroporte. Ndërkaq, shumë të tjerë janë vendosur në izolim, pasi kanë rezultuar pozitivë, por nuk kanë shfaqur simptome.

SHIKONI EDHE: Kosova me dy sportistë drejt Olimpiadës “Pekini 2022”

Kina po aplikon masa të rrepta kundër COVID-19, përfshirë edhe testimet e shpeshta, me qëllim që të parandalojë shpërthime të virusit.

“[Situata me COVID-19] në përgjithësi është brenda kornizës që kontrollueshme që ne prisnim. Prandaj, pjesëmarrësit në Lojëra, përfshirë edhe atletët dhe publiku kinez nuk duhet të brengosen”, tha Huang.

Ai shtoi se organizatorët e Lojërave nuk po e shqyrtonin mundësinë e ndryshimit të protokolleve kundër pandemisë për Olimpiadën.