"Ky dimër do të tregojë gjithçka" për COVID-in

Paul Offit, drejtor i Qendrës për Krijimin e Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia të SHBA-së.

Rastet e të sëmurëve me COVID-19 janë në rritje gjetkë në botë, por jo edhe shtrimet në spital dhe vdekjet. Kjo, falë imunitetit të krijuar nga vaksinimi, por edhe infektimit natyror, thotë Paul Offit, drejtor i Qendrës për Krijimin e Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia të SHBA-së.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Offit shfaq besimin se e ardhmja do të sjellë më shumë njerëz të sëmurë lehtë dhe më pak të sëmurë rëndë.

Megjithatë, shton ai, gjendja më reale do të shihet në dimër, në stinën kur infektimet zakonisht marrin hov.

Offit thotë se njerëzit nën 70 vjeç dhe që janë të shëndetshëm, nuk kanë nevojë për dozën e katërt të vaksinës.

Duke folur për periudhën e mundshme post-pandemike, ai thotë se “ky virus do të qarkullojë me dekada, nëse jo me shekuj”.

“Ne nuk do ta heqim qafe këtë virus”, thotë Offit, i cili ka qenë edhe anëtar i një paneli në SHBA që ka rekomanduar përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech.

SHIKONI EDHE: CDC: Mbrojtja nga dozat përforcuese bie pas katër muajsh


Radio Evropa e Lirë: Doktor Offit, numri i rasteve me COVID-19 është duke u rritur në gjithë botën. Çfarë qëndron pas kësaj rritjeje?

Paul Offit: Bëhet fjalë për të ashtuquajturat nënvariante të Omicronit, që janë imuno-invazive. Pra, edhe nëse jeni të vaksinuar, edhe nëse keni marrë dozën përforcuese [të vaksinës], ju mund të merrni një infeksion të lehtë. Kjo është edhe ajo që po shohim. Edhe këtu në SHBA, po ashtu. Shohim rritje të rasteve kryesisht me BA.4 dhe BA.5. Këto nënvariante të Omicronit përbëjnë tani rreth 50 për qind të rasteve. Por, nuk shohim rritje të numrit të vdekjeve. Shohim vetëm rritje të vogël të shtrimeve në spital. Kjo edhe mendoj se do të jetë e ardhmja me këtë virus - më shumë të sëmurë lehtë dhe më pak të sëmurë rëndë.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web


Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të vazhdojë ky trend me norma të ulëta të shtrimeve në spital dhe të vdekjeve?

Paul Offit: Mendoj se ky dimër do të tregojë gjithçka. E dimë se dy dimrat e kaluar, në nëntor, dhjetor dhe janar, ka pasur rritje të hospitalizimeve dhe vdekjeve. Por, këtë dimër, krahasuar me të mëparshmit, do të kemi shkallë më të lartë të imunitetit në popullsi.

Njerëzit që janë infektuar ose imunizuar me vaksina përbëjnë ndoshta 80-90 për qind të popullsisë... Pra, të shohim. Por, unë mendoj se e ardhmja do të nënkuptojë shumë sëmundje të lehta dhe shumë më pak sëmundje serioze.

Radio Evropa e Lirë: Thoni se kësaj situate i ka kontribuar vaksinimi, normat e larta të infektimeve...

Paul Offit: Saktë. Unë mendoj se vaksinimi, ose infektimi natyror, ose të dyja mbrojnë kundër të sëmurit rëndë. Raste të tilla tani ka shumë. Unë jam i vaksinuar dhe kam qenë i infektuar. Kështu janë edhe shumica e miqve të mi. Unë mendoj se ne kemi diçka që quhet imunitet hibrid, që do të thotë se kemi shumë gjasa për të qenë të mbrojtur, për vite me radhë, kundër të sëmurit rëndë. Por, të shohim. Ky virus gjithmonë befason. Kështu që, të shohim se si do të vazhdojë.

Radio Evropa e Lirë: Ju në SHBA e keni të miratuar dozën e katërt të vaksinës. Por, për shembull, në disa vende të Evropës nuk është e miratuar. A mendoni se edhe pjesa tjetër e botës duhet ta miratojë?

SHIKONI EDHE: Në SHBA autorizohet dhënia e dozës së katërt të vaksinës

Paul Offit: Mendoj se tri doza do t’ju mbrojnë kundër sëmundjes së rëndë, nëse përndryshe jeni të shëndetshëm. Njerëzit e vjetër, domethënë ata mbi 70 vjeç, ose njerëzit që kanë probleme të tjera shëndetësore, mund të jenë në rrezik nga të sëmurët rëndë dhe ata mund të përfitojnë nga doza e katërt. Por, mendoj se njerëzit nën atë moshë, që janë të shëndetshëm, nuk kanë nevojë për dozën e katërt.

Radio Evropa e Lirë: A ka shanse që Omicroni të prodhojë variante të tjera?

Paul Offit: Po, sigurisht, ky është trendi. Omicroni ka qenë varianti BA.1 dhe tash kemi BA.4 dhe BA.5. Këto janë viruse që kanë mësuar të shmangin sistemin tonë imunitar - në kuptimin e mbrojtjes kundër sëmundjes së lehtë. Por, prapë, nëse jeni vaksinuar, ose infektuar në mënyrë natyrore, ose të dyja, ju - me shumë gjasa - jeni të mbrojtur kundër sëmundjes së rëndë, madje edhe me këto nënvariante të Omicronit.

SHIKONI EDHE: Në K.Veriore gati tre milionë raste me "ethe e temperaturë"

Radio Evropa e Lirë: Po, çfarë nëse variantet e reja që dalin, janë më të transmetueshme, më të rënda dhe shmangin vaksinën?

Paul Offit: Të gjitha këto variante, si BA.5, BA.4, BA.2 etj., janë në gjendje të shmangin sistemin tuaj imunitar dhe t’ju shkaktojnë sëmundje të lehtë ose të moderuar, por jo sëmundje të rëndë. Mund të ndodhë që del një variant që prodhon rezistencë më të madhe ndaj mbrojtjes. Kjo nuk ka ndodhur ende, por kur të ndodhë, atëherë duhet një vaksinë specifike për variantet. Unë mendoj se, aktualisht, nuk ka nevojë për një të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Por, na është thënë vazhdimisht se vaksinat me teknologjinë mRNA [Pfizer apo Moderna] mund të përshtaten lehtësisht, varësisht varianteve që dalin. Megjithatë, ne nuk kemi përforcues - le të themi - për variantin BA.1. Pse?

Paul Offit: Unë jam në Komitetin Këshillues për Vaksina pranë Administratës së Ushqimit dhe Barnave [të SHBA-së]. Ne kemi konsideruar një përforcues që do të përfshinte Omicronin, një vaksinë me dy përbërës.

Izolimi i Shangait

Por, nëse i shohim të dhënat - njerëzit që kanë marrë tri doza të vaksinës aktuale - të së ashtuquajturës vaksinë të recetës origjinale - dhe pastaj kanë marrë dozën e katërt të së njëjtës vaksinë, dhe njerëzit që kanë marrë tri doza të vaksinës aktuale dhe dozën e katërt e kanë marrë me përforcues për Omicron - nuk ka ndonjë dallim të dukshëm, që është i rëndësishëm në aspektin klinik.

Dallimi ka qenë 1.5 - 2 herë më i madh sa u përket antitrupave neutralizues kundër Omicronit. Unë nuk mendoj se ky është një dallim domethënës në aspektin klinik. Nuk mendoj se kemi nevojë për një vaksinë shumë specifike. Por, mendoj se Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke nxitur për një gjë të tillë. Komiteti ynë ka votuar me 19 vota për dhe dy kundër për miratimin e saj. Unë kam dhënë njërën votë kundër. Të shohim se si do të shkojë.

Radio Evropa e Lirë: Në Republikën Çeke, ku unë jetoj, nuk ka asnjë masë kufizuese, tash e dy-tre muaj. A ka qenë kjo gjëja e duhur për t’u bërë?

Paul Offit: Mendoj se po arrijmë te pika, ku do të kemi një normale të re. Edhe sikur 100% e popullsisë së botës të jenë të vaksinuar, ky virus do të vazhdojë të qarkullojë dhe do të vazhdojë të shkaktojë sëmundje të lehtë, sepse ka një periudhë të shkurtër inkubacioni.

Edhe nëse jeni të vaksinuar dhe keni dozën përforcuese, edhe nëse jeni të vaksinuar, keni dozën përforcuese dhe keni pasur infeksionin natyral, me kalimin e kohës, do të jeni sërish të cenueshëm ndaj të sëmurit lehtë. Do të duhet të mësohemi me këtë, sepse kjo do të jetë mënyra e jetesës me kalimin e kohës, edhe nëse të gjithë në botë janë të vaksinuar.

SHIKONI EDHE:

Zyrtarët e BE-së: Është herët për të konsideruar dozën e katërt të vaksinësVarianti i fshehtë i Omicronit, tani dominues në botëOBSH: Disa shtete evropiane hoqën “brutalisht” masat kundër COVID-19


Radio Evropa e Lirë: Nëse mendojmë përpara, a duhet të bëjmë diçka ndryshe këtë dimër?

Paul Offit: Jo, mendoj se ky dimër do të na mësojë shumë. Tani për tani në Shtetet e Bashkuara, shumica e zonave të këtij vendi sillen sikurse nuk ka pandemi. Përkufizimi i pandemisë është se ajo ndryshon mënyrën se si jetoni, punoni ose luani.

Unë ndodhem në Avalon të Nju Xhërsit dhe nëse shkon në një dyqan ushqimor, e sheh se askush nuk vesh maska. Për njerëzit këtu, pandemia ka përfunduar. Në anën tjetër, nëse shkoni në Filadelfia, atje shumë njerëz veshin maska. Pra, atje vazhdojnë të mendojnë se ka pandemi ende. Unë mendoj se mënyra se si do të ecim përpara me këtë pandemi, do të zhvillohet ngadalë dhe me një lloj përshtatjeje.

Your browser doesn’t support HTML5

A do të kemi endemi në vend të pandemisë?


Radio Evropa e Lirë: E, si të gjykojmë se çfarë është e sigurt dhe e përgjegjshme?

Paul Offit: Prapë, njerëzit do të sëmuren lehtë edhe nëse janë të vaksinuar. Megjithatë, në pjesën më të madhe, do të jenë të mbrojtur kundër sëmundjeve të rënda. Por, nëse vërtet dëshironi të jeni plotësisht të mbrojtur nga kjo sëmundje, atëherë nuk duhet të dilni nga shtëpia juaj.

Radio Evropa e Lirë: Pra, jemi larg nga të qenët “post-pandemi”...

Paul Offit: Unë mendoj se ky virus do të qarkullojë me dekada, nëse jo me shekuj. Ne nuk do ta heqim qafe këtë virus. Ka katër lloje të koronaviruseve në njerëz. Dy prej tyre kanë qenë me ne që nga fundi i viteve 1700 dhe 1800. Ky virus do të jetë pjesë e jetës sonë, për gjatë gjithë jetës sime, jetës së fëmijëve të mi dhe të fëmijëve të tyre.

Unë mendoj se duhet të bëjmë më të mirën që mundemi, për t’u siguruar që kemi një popullatë të imunizuar nga vaksinimi, por, po ashtu, të kuptojmë se ky virus do të qarkullojë dhe do të vazhdojë të shkaktojë sëmundje të lehtë. Dhe, në njëfarë mase, te njerëzit me imunitet të komprometuar ose te njerëzit që janë të moshuar, ai do të shkaktojë sëmundje më të rëndë. Ata njerëz mund të përfitojnë nga doza përforcuese e vaksinës, përpara dimrit.