Kosova regjistron tri raste të reja me koronavirus

Dhomë për kujdes intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të hënën, më 20 dhjetor, janë regjistruar tri raste të reja me koronavirus, pas testimit të 1.443 mostrave.

Në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se katër persona janë shëruar derisa 311 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet kosovare kanë regjistruar mbi 161.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.989 persona kanë vdekur.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të këtij viti.

Prej atëherë janë dhënë mbi 1.6 milion doza të vaksinës.

Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Ndërrohet qendra e vaksinimit në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur më 20 dhjetor se tani e tutje, qytetarët do të mund të vaksinohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër shtatë në lagjen Kalabria në Prishtinë dhe jo më në sallën 1 Tetori.

“Me kalimin e ekipeve të vaksinimit për Prishtinën në këtë qendër, salla 1 Tetori do t’i kthehet veprimtarisë së vet primare”, është thënë në njoftim.

Përveç kundër koronavirusit, qytetarët do të mund të vaksinohen në qendrën në Kalabri edhe kundër gripit stinor.

SHIKONI EDHE: Mbi 15 mijë raste me grip stinor në vetëm dy muaj