Kosova regjistron 8 viktima dhe 249 raste të reja me COVID-19

Qendra për testim për koronavirus në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Kosovë janë regjistruar tetë viktima dhe 249 raste të reja me koronavirus.

Sipas raportit, në mesin e viktimave ishte një fëmijë në grup-moshën 0-9 vjeç. Një viktimë i përkiste grup-moshës 60-69 vjeç, dy viktima ishin në grup-moshën 70-79, ndërkaq katër të tjetër 80 vjeç e më të vjetër.

Ndërkaq, rastet e reja dolën pas testimit të 2,804 mostrave, që i bie se 8.88 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Në raportin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 1,129 pacientë.

Ndërkaq, raste aktive me sëmundjen COVID-19 janë 5,073.

Në 24 orët paraprake po ashtu janë administruar 1,209 doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Deri më tani, në Kosovë 812,931 persona janë imunizuar me dy doza të vaksinës.