Numri i të prekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 42 pasi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar për shtatë raste të reja. Nga 38 personat e testuar, pozitiv kanë dalë katër raste nga Shkupi dhe tre nga Dibra.
“Deri më tani janë regjistruar gjithsej shtatë raste të reja me koronavirus. Numri i personave të infektuar me virus tani ka arritur në 42. Gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme. Dy nga pacientët kanë pneumoni të lehtë”, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Aktualisht janë duke u testuar edhe 22 persona të tjerë dhe rezultate pritet të dalin gjatë ditës së sotme.
SHIKONI EDHE: Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e VeriutRreth dy mijë persona janë në vetizolim, shumica nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë në institucione të ndryshme shtetërore.
Ministri Filipçe ka bërë të ditur se për momentin në dispozicion sistemi shëndetësor i Maqedonisë së Veriut ka edhe 1,500 teste, ndërsa pritet të arrijnë edhe 1,000 të tjera si donacion.
Qeveria kërkon nga qytetarët të respektojnë masat për parandalimin e virusit, në të kundërtën, siç thuhet “do të ndiqet penalisht ndokush që rrezikon jetën e qytetarëve”.
Sipas një vendimi të qeverisë “çdo qytetarë që do të vendosë të dalë jashtë shtetit, do të duhet të nënshkruajë deklaratë se tre muaj e ardhshëm nuk do të kthehet”.
“Duhet të ketë mirëkuptim nga qytetarët dhe duhet të jetë e qartë se ajo që shqiptohet si masë duhet të respektohet. Kjo nuk është situatë ku dikush mund të zgjedhë”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.
Për shkak të përhapjes së koronavirusit, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 18 mars njoftoi se ka vendosur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë.