Raportohet për shpërthime në Kiev teksa Moska thotë se rrëzoi një dron

Banorët e Kievit duke u strehuar nëpër metro, pas lëshimit të alarmit për sulme. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet në Kiev i kanë lëshuar të premten alarmet dhe u kanë bërë thirrje banorëve të strehohen në vende të sigurta, pas shpërthimeve që janë dëgjuar mbi këtë qytet.

Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur sulmet me raketa hipersonke në rajonin e Kievit, përfshirë ato Kh-47 Kinzhal.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka thënë se disa pjesë të raketave të rrëzuara, kanë rënë në territorin e një spitali për fëmijë, por nuk ka raportime për të plagosur.

Në të njëjtën ditë, Rusia ka thënë se e ka rrëzuar një dron në perëndim të Moskës, pas raportimeve se dy aeroporte janë mbyllur përkohësisht në kryeqytetin rus, për shkak të një fluturimi të dyshimtë me dron.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin e ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se mbetjet e dronit kanë rënë në veriperëndim të qytetit, por nuk ka shkaktuar dëme.

SHIKONI EDHE: Zelensky paralajmëron se lufta në Rusi po vjen, pas sulmeve me dronë në Moskë

Për këto sulme raportohet teksa administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Kongresit që të miratojë ndihmë shtesë – ushtarake dhe humanitare - për Ukrainën, në vlerë të 20 miliardë dollarëve.

Në përditësimin e fundit të ushtrisë ukrainase, më 11 gusht, Shtabi i Përgjithshëm ka thënë se forcat ruse kanë kryer “sulme të pasuksesshme” në zonat e Kupjanskut dhe Bahmutit.

Në njoftim është thënë se forcat ukrainase janë duke e vazhduar kundërofensivën në Melitopol dhe Berdjansk, në jug.

Në front: Përparime të vogla në kundërofensivën e Ukrainës

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.