Bashkimi Evropian (BE) është duke biseduar me Kievin për garancitë e mundshme të sigurisë, me qëllim që t’i kryejë “zotimet e mëdha të sigurisë” për Ukrainën deri në fillim të korrikut, raporton gazeta gjermane Welt am Sonntag.
Kjo gazetë raportoi më 11 maj se e ka parë dokumentin e një drafti në Bruksel, në të cilin gjithashtu diskutohet nëse mund të dërgohen në Ukrainë ushtarë nga vendet e BE-së.
Anëtarët nga 27 vendet anëtare të BE-së “së fundmi u pajtuan” për një tekst “konfidencial” 11-faqesh, sipas gazetës.
Welt shtoi se në tekst shkruhet se “përjashtohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e ushtarëve të BE-së përkrah ushtarëve ukrainas në operacionet luftarake kundër Rusisë”.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja me paketë të re të ndihmës ushtarake prej 400 milionë dollarësh për UkrainënPor, vendet zotohet, sipas dokumentit, për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe armë jovdekjeprurëse dhe për ta ndihmuar me stërvitje.
Shumica dërrmuese e vendeve të bllokut e kanë ndihmuar Ukrainën prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të saj në shkurt 2022.
Ka disa muaj që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave nga vendet aleate perëndimore të Kievit në Ukrainë.
I pyetur drejtpërdrejt në mars, ai tha se “të gjitha këto opsione janë të mundshme”.
SHIKONI EDHE: Macroni përsëri s’e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në UkrainëPresidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur ta përshkruajë ndihmën ushtarake për Ukrainën si tregues që NATO-ja dhe Perëndimi është i përfshirë tashmë në konflikt.
Shtetet e Bashkuara dhe mbështetësit e tjerë të Kievit e kundërshtojnë këtë portretizim.
NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kufizuar me kujdes përfshirjen e tyre, për të mos i dhënë Moskës përparësinë në atë që ato e cilësojnë si një luftë pushtuese në Ukrainë, e cila kërcënon rendin dhe sovranitetin ndërkombëtar.