Në raportin e organizatës Freedom House për vendet në tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.
Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.
SHIKONI EDHE: Ku fillon lufta kundër korrupsionit?Sipas raportit, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë. Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.
Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.
SHIKONI EDHE: Dy shqiptarët e padëshiruar nga SHBA-jaSipas “Freedom House”, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, por shumica e pronarëve të medias, thuhet në raport, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike. Për sa i takon qeverisjes lokale, ajo shihet si demokratike, por seriozisht e pafinancuar dhe e pakualifikuar për të ofruar shërbimet adekuate për qytetarët.
Në raport vërehet se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht. Prej fillimit të procesit të vetingut, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.
Për sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga vendet e rajonit gjendja është përkeqësuar në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, situata është e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar.
Që nga viti 1995, raporti i Freedom House për vendet në tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende, që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.
Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni. Vlerësimi bëhet nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe me 7 vlerësohet niveli më i lartë i saj.