Raportet mes vendeve që synojnë BE-në, kyçe për avancim drejt bllokut

Udhëheqës të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në një samit të mbajtur në Tiranë, në tetor të vitit 2023.

Bashkimi Evropian, paralelisht me procesin e integrimit në BE të vendeve kandidate, insiston që ato të kenë bashkëpunim maksimal mes vete, por edhe me vendet fqinje, të cilat tashmë janë anëtare të bllokut.

BE-ja, në mënyrë të veçantë, monitoron dhe bën raporte për marrëdhëniet e tilla.

Kjo, pos që është e dëshirueshme, është edhe kriter formal në procesin e zgjerimit.

Sipas vlerësimeve të BE-së, tash nëntë shtete në procesin e zgjerimit kanë, pak a shumë, raporte të mira mes vete dhe janë duke i zhvilluar ato tutje. Po ashtu, kanë edhe raporte të mira me vendet fqinje, të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Por, akoma ka çështje të hapura mes tyre, të cilat ndikojnë edhe në procesin e zgjerimit të BE-së, edhe në nivelin e bashkëpunimit rajonal.

Raportet me Kosovën janë një problem i veçantë, jo vetëm për Serbinë, por edhe për vendet kandidate të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Këtu veçohet Bosnja e Hercegovina, por tash edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, që rishtazi i janë shtuar grupit të shteteve të cilat janë të përfshira në procesin e zgjerimit.

SHIKONI EDHE: Liderët e BE-së në Tiranë: Ballkani të anëtarësohet sa më shpejt

Ndërsa, disa nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor akoma duhet të avancojnë raportet me disa vende fqinje të BE-së - raportet e Serbisë me Kroacinë, ato të Shqipërisë me Greqinë dhe të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Raportet me fqinjët, dhe vendet tjera kandidate, konsiderohen shumë të rëndësishme për BE-në dhe prandaj ato edhe analizohen rregullisht, sepse në BE thonë se, përgatitja për anëtarësim dëshmohet edhe përmes bashkëpunimit rajonal.

Sipas vlerësimeve të BE-së, Serbia, si vendi kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raportet më të mira i ka me Turqinë, si vend kandidat, dhe me anëtaren e BE-së, Hungarinë fqinje. Ato, në Raportin e Progresit, vlerësohen si “shumë të mira“.

SHIKONI EDHE: Turqia thotë se BE-ja është “paragjykuese” në rrugën e saj drejt anëtarësimit

Raportet e Serbisë me Malin e Zi, ndërkaq, vlerësohen si “në përgjithësi solide“.

Ato me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Rumaninë si “në përgjithësi të mira“, me Maqedoninë e Veriut “të mira“, me Bosnje e Hercegovinën si “të mira dhe në përgjithësi stabile“, ndërsa me Kroacinë “të përmirësuara“.

Por, krahas këtij përshkrimi formal, raportet me Kroacinë janë shumë të komplikuara dhe kohë pas kohe eskalojnë konfliktet verbale.

Mes Kroacisë dhe Serbisë kanë mbetur çështje të pazgjidhura nga periudha e luftës. Kroacia akuzon Beogradin se nuk po bën sa duhet për zgjidhur fatin e të zhdukurve nga periudha e luftës.

Ka edhe çështje të hapura rreth përcaktimit të vijës kufitare, ndonëse këto dy vende kanë vendosur raporte diplomatike. Së fundi, mes Kroacisë dhe Serbisë ka ndodhur edhe një luftë diplomatike, pasi Beogradi ka dëbuar një diplomat kroat nga Serbia me akuzën për spiunazh, ndërsa Zagrebi është kundërpërgjigjur me masë reciproke.

SHIKONI EDHE: Pllenkoviq: Beogradi nuk ka dhënë shpjegim për dëbimin e diplomatit kroat

Raportet e Serbisë me Kosovën janë një temë e veçantë, dhe atë BE-ja e analizon si kusht kryesor për avancimin, edhe të Serbisë, edhe të Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së.

SHIKONI EDHE: KE miraton paketën e zgjerimit, thotë se rruga e Kosovës ndikohet nga dialogu me Serbinë

Si “të mira“ vlerësohen raportet e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa ato me Kosovën si “intensive dhe konstruktive“.

Përderisa ka përmirësim dhe intensifikim të raporteve të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, me të cilën për shumë vite kishte mospajtime rreth çështjes së emrit, të komplikuara janë raportet me Bullgarinë.

Ato po ndikojnë edhe në procesin e zgjerimit, sepse Sofja zyrtare insiston në respektimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me pakicën bullgare në Maqedoninë e Veriut, dhe në disa çështje identitare, rreth të cilave ekzistojnë interpretime të ndryshme.

SHIKONI EDHE: Osmani: Disa individë në Sofje duan provokime, jo marrëveshje

Shqipëria ka raporte “shumë të mira“ me Italinë, ndërsa raportet me vendet fqinje të BE-së, ose kandidate, vlerësohen si “në përgjithësi të mira“.

Bile edhe ato me Greqinë, ku nënvizohet problemi i minoritetit grek në Shqipëri, dhe pronësia e tyre, për çka mes Tiranës dhe Athinës ka mospajtime.

Greqia, kohëve të fundit, është duke kundërshtuar hapjen e disa kapitujve negociues të BE-së me Shqipërinë, për shkak të rastit të Alfred Belerit, i zgjedhur si kryebashkiak i Himarës, por që ndodhet në paraburgim dhe nuk i lejohet të bëjë betimin në postin e zgjedhur.

SHIKONI EDHE: Si “shitet dhe blihet” vota në Shqipëri?

Bosnja e Hercegovina kanë raporte “në përgjithësi të mira“, ose “të mira“ me pothuajse të gjitha vendet kandidate, apo fqinjët, pos me Kosovën, me të cilën nuk ka fare raporte, pasi nuk e ka njohur pavarësinë e saj.

Komisioni Evropian ka raportuar se mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës ka pasur disa takime bilaterale joformale, kryesisht në margjina të takimeve ndërkombëtare dhe rajonale, por nuk ka përmirësim konkret të raporteve diplomatike.

Posaçërisht problematike konsiderohet çështja e lëvizjes së qytetarëve mes këtyre vendeve.

SHIKONI EDHE: "Mund vetëm t'i ëndërroj të afërmit": Bllokimi i lëvizjes së lirë mes Kosovës e Bosnjës

Kosova në anën tjetër, pos raporteve me Serbinë, ka kryesisht raporte të mira me të gjithë fqinjët.

Por, ajo nuk ka raporte me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, po ashtu vende kandidate, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Si avancim është konsideruar vendimi i Parlamentit të Moldavisë që të lejojë hyrjen në territorin e vet për shtetasit e Kosovës, për pjesëmarrje në takime ndërkombëtare.

Kosova dhe Gjeorgjia janë të vetmet vende nga procesi i zgjerimit, të cilat nuk kufizohen me ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka kritika ndaj Kosovës, edhe për shkak se mendon se Kosova po bën pengesa në Marrëveshjen për Tregti të Lirë - CEFTA, duke bllokuar disa vendime, ndërkaq shpreh keqardhje edhe për vendimin e Kosovës që të vendosë barriera për importin e mallrave nga Serbia.

SHIKONI EDHE: Reciprociteti i Kosovës ndaj Serbisë

Në përgjithësi, BE-ja vlerëson se ka shumë hapësirë për të përmirësuar raportet mes vendeve nga procesi i zgjerimit, dhe rikujton se ky tash është një prej kushteve kyçe për avancimin e tyre drejt BE-së.

Sepse, BE-ja dëshiron që të gjitha këto vende të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura bilaterale mes tyre, në mënyrë që ato të mos importohen një ditë si probleme brenda bllokut evropian.