Arrestimi i shtetasit rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nga autoritetet e Kosovës ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Prishtinës zyrtare dhe misionit të UNMIK-ut.
Mikhail Krasnoshchenkov, ishte ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të vendit. Ai më pas ishte liruar ngase kishte imunitet diplomatik, përkundër akuzave për të cilat kishin folur presidenti dhe kryeministri i Kosovës, se zyrtari rus i UNMIK-ut, ishte kamufluar nën petkun e UNMIK-ut në kundërshtim të veprimeve ligjore të institucioneve të Kosovës.
Ndonëse ishte liruar, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur atë si person të padëshiruar, përkatësisht “non-grata”.
Mediat në Beograd kanë raportuar për një takim mes shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin e arrestimit të shtetasit rus, punonjës i UNMIK-ut. Në administratën e UNMIK-ut nuk kanë ofruar detaje rreth këtij takimi.
SHIKONI EDHE: Kosova e shpall person non-grata punonjësin rus të UNMIK-utPor, të menjëhershme kanë qenë reagimet e institucioneve të Kosovës.
Në një postim në rrjetin social facebook, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Jetlir Zyberaj e kishte quajtur adresë të gabuar Beogradin për t’i diskutuar këto çështje.
Ai po ashtu ka shkruar se institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë me UNMIK-un, pasi ky mision, siç thotë ai, po krijon pengesa për sundimin e ligjit dhe rendit.
“Misioni i UNMIK-ut është bërë përkrahësi kryesor i krimit të organizuar në veri të Kosovës. Është zyra e saj në veri që bashkëpunon me kriminelët dhe grupet që synojnë të dëmtojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe të pengojnë rendin dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Ngjarjet e javës së kaluar dhe mënyra sesi UNMIK-u e trajton këtë rast e tregon këtë në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Zyberaj në facebook.
Zyberaj ka shkruar se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli i është drejtuar Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit për të kërkuar përgjegjësi ‘se si ky mision vepron kundër interesave të Kosovës dhe sigurisë kombëtare dhe në funksion të krimit dhe kontrabandës’.
Ish- ambasadori i Kosovës në Vjenë dhe Sidnej, Sabri Kiçmari tha për Radion Evropa e Lirë se raportet mes Kosovës dhe Misionit të UNMIK-ut janë delikate dhe krejtësisht të paqarta, por që sipas tij, të dy subjektet duhet të negociojnë dhe të takohen mes vete dhe të tejkalojnë situatat e tilla.
“Misioni i UNMIK-ut nuk e ka fuqinë ekzekutive që e ka pasur menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, por disa zyrtarë të UNMIK-ut duket se nuk e kanë kuptuar se jeta politike dhe shoqërore në Kosovë ka rrjedh në një drejtim të qartë të pavarësisë, prandaj mendoj që zyrtarët tanë shtetërorë, pa emocione dhe me gjakftohtësi të ulen në tavolinën e bisedimeve për t’ua sqaruar zyrtarëve të UNMIK-ut, praktikisht që ata janë të mirëseardhur në Kosovë derisa nuk ndërhyjnë në subjektivitetin e Kosovës”, thekson Kiçmari.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe zyrtarë të kabinetit të tij në vazhdimësi janë deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk e njeh më UNMIK-un, i cili në Kosovë funksionon në bazë të Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e cila ishte miratuar qysh në qershor të vitit 1999.
SHIKONI EDHE: Kosova nuk mund "t'ia mbyllë" derën UNMIK-utPor, ndryshimet eventuale të statusit të UNMIK-ut, sipas Kiçmarit, determinojnë vendimin e të gjitha vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku marrin pjesë edhe Rusia dhe Kina, të dy shtet të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kosova duhet të jetë koshiente që këto dy shtete mund të aplikojnë të drejtën e vetos në çdo moment. Pra, Kosova si e tillë nuk ka ndonjë fuqi ekzekutive për të larguar misionin e UNMIK-ut nga këtu dhe për këtë më mirë është që diplomacia jonë të tentojë të bisedojë me zyrtarët e UNMIK-ut që ata këtë lloj prezence simbolike që e kanë këtu, ta shfrytëzojnë në të mirë të marrëdhënieve ndëretnike dhe jo të bëhen subjekt të konflikteve, siç ishte rasti me zyrtarin rus në veri të Kosovën, pra ata (UNMIK) janë këtu për të ndihmuar që të kalojnë situata dhe jo për të shkaktuar probleme në situata të tilla”, thotë Kiçmari.
Misioni i UNMIK-ut vepron sipas rezolutës 1244 të OKB-së e cila ka qenë kompromis midis vendeve perëndimore dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Ky mision është neutral ndaj statusit të Kosovës. UNMIK-u, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, i ka bartur të gjitha kompetencat tek institucionet vendore.