Për muaj të tërë, anëmbanë Shteteve të Bashkuara, ligjëvënësit, gazetarët, aktivistët, amerikanët e klasës së mesme, por mbi të gjithë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me padurim dhe ankth po presin të mësojnë më shumë për rezultatin e një hetimi penal që konsiderohet politikisht më “shpërthyesi” ndër breza.
Më 22 mars, këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, nënshkroi raportin përfundimtar të hetimit pothuajse dyvjeçar dhe ia dorëzoi atë kreut të Departamentit të Drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm, William Barr.
SHIKONI EDHE: I nominuari i Trumpit për Prokuror të Përgjithshëm dëshmon para Komitetit GjyqësorPër momentin është e panjohur se çfarë përmban raporti.
Raporti mund të rezultojë me aktakuza të reja, mirëpo disa raporte të mediave thonë se kjo nuk duket të jetë e mundshme.
Raporti mund të ofrojë një pasqyrë të gjetjeve që tregojnë se si Trumpi dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt u përpoqën të bashkëpunojnë me zyrtarë rusë për të ndikuar në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016-të.
Nga rezultatet e hetimit, presidenti Trump mund të akuzohet për përpjekje të pengimit të hetimeve në vazhdim të FBI-së duke shkarkuar drejtorin e atëhershëm James Comey në maj të vitit 2017, ngjarje kjo që çoi në emërimin e Muellerit.
Mundet po ashtu që raporti të përmend veprime të ndërmarra nga individë që nuk përbëjnë krim mirëpo paraqesin bazën për hetime të mëtejshme në Kongres. Ose, raporti mund të mos përmbajë asnjërën nga këto që u përmendën më lartë.
Megjithatë, pa marrë parasysh, gjetjet e raportit të Mueller, do të luajnë një rol të madh në përcaktimin e fatit të dy viteve të ardhshme të administratës së presidentit Trump, por edhe nëse ai do të garojë për rizgjedhje.
Ja një vështrim se çfarë do ta pasojë tërë këtë situatë.
Vendimi i prokurorit të përgjithshëm, Barr
Ligji që rregullon punën e këshilltarit të posaçëm Mueller, ishte i qartë në një pikë: Atij iu kërkua që pasi të përfundojë hetimin të paraqiste një raport përfundimtar te Departamenti i Drejtësisë. Pranimin e raportit prokurori Barr e konfirmoi më 22 mars.
Ligji dhe rregulloret e Departamentit të Drejtësisë ishin më pak të qarta se në çfarë mase ky raport mund të bëhej publik. Në fillim të këtij viti, gjatë seancave dëgjimore në Senatin amerikan, prokurori Barr ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjen lidhur me publikimin e raportit në opinion.
“Unë…besoj se është shumë e rëndësishme që publiku dhe Kongresi të informohen me rezultatet e punës së këshilltarit të posaçëm (Robert Mueller). Qëllimi im do të jetë të sigurojë sa më shumë transparencë aq sa më lejon ligji”, iu tha Barr senatorëve.
Por, ka shumë hapësirë për interpretim në këtë deklaratë.
Prokurori Barr u pyet gjithashtu për të ashtuquajturën “shmangie të vendimit” ku këshilltari Mueller mund të shpjegojë pse ai dhe ekipi i tij zgjodhën të mos ndjekin penalisht asnjë person. Thjeshtë përmendja e emrit të një personi në një raport të tillë mund ta dëmtojë atë politikisht, apo edhe të vendosë bazat për Kongresin për të ndërmarrë një hetim.
“Nisur nga rregullat e tanishme, unë mendoj se ato thonë se këshilltari Mueller do të përgatisë një raport përmbledhës për çdo vendim penal apo shmangje nga vendimet. Ky raport duhet të jetë konfidencial dhe duhet të trajtohet sikur se çdo material tjetër brenda departamentit” , tha ai.
Pas pranimit të raportit nga ana e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, prokurori i përgjithshëm William Barr tha përmes një letre të lëshuar nga Departamenti I Drejtësisë, se do të takohet me zëvëndësprokurorin e përgjithshëm, Rod Rosenstein dhe këshilltarin Mueller “për të përcaktuar se çfarë informacioni tjetër nga raporti mund të publikohet në Kongres dhe opinion gjithnjë bazuar në ligjin”.
A do të ketë aktakuza tjera?
Që kur Mueller dhe ekipi i tij e morrën në dorë hetimin nga FBI në maj të vitit 2017, kanë ngritur padi kundër dhjetra individëve dhe entitetesh, përfshirë kreun e fushatës zgjedhore të Trumpit, pastaj këshilltarin kryesor të tij për siguri kombëtare dhe zyrtarë më të ulët sikurse edhe kundër dhjetëra agjentëve të agjencisë së intelegjencës ushtarake ruse GRU.
Për momentin është shumë herët për të thënë se përfundimi i punës së Mueller do të rezultojë me më shumë aktakuza. Jo shumë kohë pasi raporti u dërgua në Departamentin e Drejtësisë, mediat amerikane New York Times, CNN dhe të tjera cituan një zyrtar të drejtësisë të thoshte se raporti nuk përmbante ndonjë padi të re, megjithëse nuk kishte konfirmim zyrtar për këtë.
Këshilltari Mueller gjithashtu ka hetuar nëse presidenti Trump u përpoq të pengonte drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së Comey në maj të 2017, një akt që çoi në emërimin e Mueller si këshilltar i posaçëm.
Presidenti Trump dhe avokatët e tij kanë argumentuar se ai si president ka autoritet të gjërë për të shkarkuar dhe pranuar në punë zyrtarë të kabinetit të tij. Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se nëse Trump e shkarkoi shefin e FBI-së në mënyrë specifike për të ndaluar hetimet e tij ndaj Trumpit, atëherë ky do të ishte një krim.
Është gjithashtu e mundur që Mueller tashmë ka hedhur bazën ligjore për ndjekje penale të tjera në vende të tjera të cilat do të vazhdonin edhe pse Mueller e ka përfunduar punën e tij. Puna e mëparshme e Mueller përshembull bëri që një prokuror në Manhattan të akuzojë avokatin personal shumëvjeçar të Trumpit, Michael Cohen për krime të ndryshme financiare. Cohen përfundimisht u shpall fajtor mirëpo në këmbim të ndihmës së tij për hetime të tjera.
Disa ekspertë ligjorë kanë vënë theksin te disa dosje misterioze të vulosura nga nivele të ndryshme gjyqësore, si një tregues se Mueller ka lënë pas aktakuza që do të zbulohen në një datë të mëvonshme, megjithëse nuk ka pasur konfirmime për këtë.
Por, ekzistojnë edhe hetimet shtetërore. Në Shtetin e Nju Jorkut, ku korporata kryesore e Trump ka selinë, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe rregullatorët tashmë kanë hapur hetime në praktikat e biznesit të Trumpit dhe në ato të fondacionit të tij bamirës. Këto hetime do të vazhdojnë pavarësisht nga puna e Mueller.
Ç'të themi për Kongresin?
Pas marrjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve në nëntor, demokratët e Kongresit sinjalizuan se ata synonin të ishin shumë më agresivë në hetimet ndaj administratës së Trump mbi çështjen e Rusisë, si dhe për çështje të tjera.
Të paktën tre komitete të Dhomës kanë filluar të thërrasin dëshmitarë dhe të kërkojnë dokumente gjyqësore.
Megjithatë pyetja se në çfarë mase raporti i Mueller do të bëhet publik, kryesisht mbetet te prokurori i përgjithshëm Barr dhe Departamenti i Drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Komiteti i Kongresit bën kërkesë për mbledhjen e fakteve kundër TrumpitDhoma e Përfaqësuesve dërgoi një sinjal të fuqishëm dypartiak më parë kur këtë muaj kur votoi njëzëri - 420 deri në 0 - duke kërkuar që raporti i Mueller të jetë i hapur për publikun.
Më 22 mars pasi prokurori i përgjithshëm konfirmoi se e ka pranuar raportin, dy përfaqësuesit kryesorë demokratë në Kongres, Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve , Nancy Pelosi dhe Udhëheqësi i demokratëve në Senatit Chuck Schumer deklaruan se është “e domosdoshme” që raporti të jetë publik.
"Populli amerikan e gëzon të drejtën për të vërtetën”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
"Ne duam raportin e plotë, dhe e duam atë tani. Ne duam atë para se presidenti të jetë në gjendje të bëjë ndonjë redaktim," tha për CNN, Eric Swalwell, një përfaqësues demokrat.
Ndërkohë, udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, tha se e mirëpriti njoftimin se Mueller kishte përfunduar hetimin e tij.
"Shumë republikanë kanë kohë që besojnë se Rusia përbën një kërcënim të madh për interesat amerikane," tha McConnell përmes një deklarate.
"Shpresoj se raporti i Këshilltarit të posaçëm (Robert Mueller) do të ndihmojë në informimin dhe përmirësimin e përpjekjeve tona për të mbrojtur demokracinë tonë", thuhet në deklaratën e Mueller.
Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm i Demokratëve të Kongresit amerikan kanë bërë thirrje haptazi për fillimin e seancave dëgjimore për procesin e votëbesimit ndaj presidentit kundër Trump-it, por kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi është shprehur kundër kësaj.
SHIKONI EDHE: Pelosi kundër nxjerrjes së Trumpit në votëbesimNuk duhet harruar edhe Trumpin
Presidenti Donald Trump që nga ditët e para e ka hedhur posht hetimin e Mueller duke e quajtur “gjueti të shtrigave” si dhe duke këmbëngulur se nuk ka pasur bashkëpunim me zyrtarët rusë. Ai ka sulmuar anëtarët e ekipit të Mueller duke i sulmuar për keqbërje politike.
Trump e akuzoi Jeff Sessions, paraardhës i prokurorit të përgjithshëm, i cili e përjashtoi veten nga mbikqyrja ndaj Mueller, duke rezultuar që Rosenstein të marrë përgjegjësinë.
Pastaj Trump akuzoi Comey, drejtorin e FBI-së, që ishte përgjegjës për hetimin që ishte duke e zhvilluar deri në maj të vitit 2017. Trump përfundimisht e largoi nga detyra Comey duke dhënë një sërë shpjegimesh kontradiktore pse e bëri këtë.
Ti kthehemi publikimit të raportit të Mueller. Reagimi i parë i Shtëpisë së Bardhë ndaj raportit ishte i zëdhënëses, Sarah Sanders, dhe ishte i matur.
“Hapat e ardhshëm janë në dorën e Prokurorit të Përgjithshëm Barr dhe ne mirëpresim që procesi të marrë rrugën e tij” tha Sanders.
Barr në fund të fundit është përgjegjës për Trump si president dhe disa vëzhgues kanë ngritur mundësinë që zyrtarët e administratës Trump mund të përpiqen të kërkojnë privilegjet ekzekutive për të mbajturfshehur nga publiku elementë të dyshimtë në raport.
Varësisht se si do të luhet kjo çështje, ajo mund të ngrejë një sërë betejash të mëdha kushtetuese që mund të shkonin deri në Gjykatën e Lartë, e cila do të detyrohej të vendostepër fushëveprimin e pushtetit presidencial kundrejt autoritetit të Kongresit.
Mos harroni: Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë vitin e ardhshëm.