Gjendja në arsim nxit “betejën e re” të Haradinajt me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një paraqitje në Kuvend

Përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë, i njohur më shkurtesën EQAR, ka shtyrë Kuvendin e Kosovës që të zhvillojë seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth kësaj problematike.

Vendimi për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga ky union, ishte arsyetuar me faktin se ”kjo agjenci nuk funksionon më e pavarur” dhe si e tillë, ajo nuk i përmbushë standardet evropiane.

Vendimi i EQAR-ut, është bazuar edhe në vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeverisë që ai drejton, për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit që funksionon në kuadër të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Andaj, pas rrethanave të krijuara, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth kësaj çështjeje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kërkoi përgjegjësi nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR-i.

Kosova ka qenë shteti i parë nga rajoni, tha Hoti, që ishte bërë pjesë e këtij institucioni dhe ka qenë përfituesja më e madhe e donacioneve për arsim të lartë. Hoti ka përmendur disa nga pasojat e përjashtimit.

“Ky përjashtim mund të ndikojë në punësimin sezonal në Evropë të të diplomuarave dhe atyre që vijojnë arsimin e lartë në Kosovë. Rrezikohet referencimi i Kosovës në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, që ka qenë një ndër arritjet e mëdha të sistemit të arsimit gjatë viteve 2016-2017”, theksoi Hoti.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetes, Arbëria Nagavci tha se e konsideron shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Nagavci tha se Vetëvendosje kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.

“Është plotësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë, për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit”, tha Nagavci.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi tha se vendimi mund të jetë i nxituar, por jo qëllimkeq. Vendimi për shkarkim sipas tij, ka qenë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk arriti të funksionalizohet me kohë që të dëshmojë pavarësinë e vetë.

“Pra, jemi të hapur për këtë çështje. Duhet të gjithë së bashku të angazhohemi për përshpejtimin e të gjitha procedurave për të funksionalizuar sa më parë Agjencinë Kosovare të Akreditimit, sepse çdo vonesë do të jetë më problematike”, tha Bytyqi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka kërkuar shkarkimin e bordit të kaluar tha se shkarkimi i anëtarëve të bordit nuk ka ndodhur për shkak të përkatësisë partiake, por për shkak të vërejtjeve që janë paraqitur ndaj tyre.

“Pse u bë kaq kiamet pse është shkarkuar një njeri. Ku po ju dhemb. Nëse ju mungon profiti apo paratë që iu ka dhënë ai njeri i korruptuar, tregoni burra. Po më duket se iu paska dhënë të gjitha partitive, pasi krejt jeni bërë bashkë për ta mbrojtur një agjenci”, u shpreh Haradinaj.

Përjashtimi i Kosovës nga EQAR-i, kishte nxitur reagime e protesta edhe nga një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë kërkuar largimin e kontrollit të politikës nga arsimi.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka garantuar se edhe pas përjashtimi të Kosovës nga EQAR-i, asnjë student nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht apo pranim për regjistrim në Universitetet Evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siç janë trajtuar deri më tash.