Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria kanë dalë të enjten në protestat e thirrura nga opozita shqiptare për mosbindje civile, duke bllokuar katër akse rrugore nacionale.
Protestuesit, bashkë me krerët opozitarë, Lulzim Basha nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Monika Kryemadhi nga Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bllokuar rrugët kryesore në Vorë, Milot, Çermë të Lushnjës dhe në Bradashesh të Elbasanit, nyjet kryesore që lidhin të gjitha anët e vendit me kryeqytetin e Tiranës.
Policia e Shqipërisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën e së enjtes dhe nuk do të “lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve”.
Qindra persona në Elbasan përveç bllokimit të rrugës kanë djegur edhe goma.
Megjithatë, protesta përfundoi e qetë dhe protestuesit u shpërndanë pasi në përpjekje për ta qetësuar situatën e tendosur në vend, kryeministri Edi Rama, gjatë seancës plenare në Kuvendin e Shqipërise e cila po mbahej në kohën e njejtë me protestën, ka bërë të ditur se pagesa e tarifës nuk do të aplikohet deri sa të gjendet një zgjidhje për banorët e asaj zone.
“Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë”, tha Rama.
Kryeministri pranoi se qytetarët e zonës veriore të Shqipërisë kanë nevojë për lehtësim sa i përket pagesës në Rrugën e Kombit.
“Është një punë e vështirë të parashikohet gjithçka përpara, pa pasur shifrat e gjashtëmujorit të parë, por ne ia detyrojmë këtë të gjithë njerëzve të asaj zone dhe duke bërë më të mirën e mundshme do të arrijmë të lehtësojmë barrën e tyre dhe ta bëjmë të funksionojë sistemi”, u shpreh Rama.
Mirëpo kreu opozitar, Lulzim Basha tha se kryministri shqiptar duhet ta heqë taksën tërësisht dhe kërkoi lirimin e të arrestuarve.
“Po përpiqet të fitojë kohë, se është në presion, dhe pastaj t’i godasë nga prapa. Jemi për të kërkuar lirimin e të gjithë të arrestuarve, jemi për t'i dhënë fund një regjimi që ka rrënuar shtetin. Reagimet e Ramës përveçse janë të pabesueshme nuk zgjidhin thelbin e problemit. Taksa të anulohet tërësisht”, tha Basha.
Edhe Monika Kryemadhi, nga LSI, tha se me pezullimin e pagesës së tarifës, Edi Rama kërkon të fitojë kohë dhe ajo që ai duhet të bëjë tani “është të lirojë kuksianët që mbahen në burg për protestën”.
“Ai kërkon të fitojë kohë, si frikacak që është dhe për të krijuar apologjinë për t’u takuar me kuksianët dhe me popullin. Kur ai është në hall thotë të tilla gjëra. Ajo që duhet të bëjë është të lirojë kuksianët”, u shpreh Kryemadhi.
Protesta e së enjtes vjen pas protestës të së shtunës në Rrugën e Kombit, ku qindra qytetarë, duke kundërshtuar tarifën rrugore prej 5 eurosh, i vunë flakën sporteleve ku bëhet pagesa.
Njëzetetre nga protestuesit u arrestuan, 11 prej te cilëve vazhdojnë të mbahen në burg.
Protesta e së enjtes në këto katër akse rrugore fillimisht u organizua si kërkesë për heqjen e taksës, por u përcoll më pas me kërkesën për lirimin e të arrestuarve dhe rënien e Qeverisë Rama.