Raketat iraniane me të cilat thuhet të jetë furnizuar Rusia
Lëshimi i një rakete Fath-360 gjatë stërvitjeve ushtarake në Iranin jugor në nëntor të vitit 2022.
Raketa balistike me rreze të shkurtër u prezantua për herë të parë në një paradë ushtarake në Teheran në prillin e vitit 2022. Fath do të thotë "pushtim" në persisht. Çdo raketë 5.2 metra e gjatë mund të mbajë një kokë prej 150 kilogramësh. Kjo është rreth tri herë më e lartë se ngarkesa shpërthyese e dronëve famëkeq Shahed, të projektuar nga Irani, që kanë vrarë shumë civilë ukrainas që kur u hodhën për herë të parë nga Rusia më 2022.
Një sistem raketor Fath-360 ekspozohet në Teheran në shtator 2022.
Mbushjet e raketave të armës janë të fshehura brenda rimorkios së një kamioni të krijuar për t'u dukur si një automjet civil, duke e bërë të vështirë zbulimin e tij nga ajri. Raketat Fath-360 kanë një rreze goditjeje relativisht të pasaktë prej rreth 30 metrash, që do të thotë se ato ka të ngjarë të përdoren kundër objektivave të mëdhenj të palëvizshëm si ndërtesat dhe infrastruktura.
Një dron Shahed i projektuar nga Irani është rrëzuar mbi Kiev në maj 2023.
Me një shpejtësi maksimale prej afro 5.000 kilometrash në orë, Fath-360 është tejet më i vështirë për t'u kapur sesa dronët Shahed të ngjashëm me aeroplanët. Por, distanca më e shkurtër e raketës prej 120 kilometrash, do të thotë se mund të përbëjë kërcënim vetëm për zonat afër vijave të frontit.
Shefi i ushtrisë i Iranit, gjeneralmajor Mohammad Bagheri (djathtas), gjatë takimit me shefin e Këshillit të Sigurimit rus, Sergei Shoigu, në Teheran më 5 gusht.
Raportimet se Teherani po trajnonte ushtarë rusë për përdorimin e raketave iraniane, dolën pas këtij takimi midis zyrtarëve të lartë ushtarakë të Rusisë dhe Iranit.
Një poster në Teheran tregon një raketë më të madhe nga e njëjta familje si Fath-360.
Teherani i ka mohuar raportet se me raketat e tij po furnizohet Rusia, por një ligjvënës i lartë iranian duket se e ka kundërshtuar linjën zyrtare. Më 7 shtator, Ahmad Bakhshayesh Ardestani tha për mediat iraniane:
"Ne duhet të shkëmbejmë për nevojat tona, duke përfshirë importimin e sojës dhe grurit. Një pjesë e shkëmbimit përfshin dërgimin e raketave dhe një pjesë tjetër përfshin dërgimin e dronëve ushtarakë në Rusi".
Një raketë iraniane e montuar në kamion lëshohet në Irak në shtator 2022.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, më 9 shtator u tha gazetarëve se Uashingtoni ishte "jashtëzakonisht i alarmuar" nga raportet për sistemet e raketave Fath-360 që iu dorëzuan Rusisë dhe paralajmëroi për "pasoja në kuptimin e plotë", nëse raportimet konfirmoheshin.