Reuters
Koreja e Veriut tha se ka testuar një raketë të re balistike ndërkontinentale që operon me lëndë djegëse të ngurtë. Kjo është hera e parë që ky shtet bën të ditur se posedon një raketë me rreze të gjatë veprimi, që përdor këtë lloj lënde djegëse, e cila kërkon më pak përgatitje për t’u lëshuar.
Më poshtë mund të mësoni disa prej karakteristikave të teknologjisë me lëndë të ngurtë dhe si mundet kjo teknologji t’i ndihmojë Veriut që të përmirësojë sistemet e saj të raketave.
Çfarë është teknologjia me lëndë të ngurtë?
Shtytësit me lëndë të ngurta janë një përzierje e karburanteve dhe oksiduesve. Pluhurat metalikë, si alumini, shpesh shërbejnë si lëndë djegëse dhe perklorati i amoniakut, që është një kripë e acidit perklorik dhe amoniakut, është oksiduesi që përdoret zakonisht.
Karburanti dhe oksiduesi bëhen bashkë përmes një materiali të fortë metalik dhe vendosen në një shtresë metalike.
Kur lënda e ngurtë, që gjendet në shtytës, digjet, oksigjeni nga perkloriku i amoniakut bashkohet me alumin dhe gjenerohet energji e madhe, në një temperaturë prej mbi 2.760 gradësh celsius, duke mundësuar lëshimin e raketës.
SHIKONI EDHE: Koreja e V. thotë se ka testuar një raketë të re me rreze të gjatë veprimiKush e ka këtë teknologji?
Lëndët djegëse të ngurta janë përdorur dhe zhvilluar nga Kina shekuj më parë, por përparimi dramatik në këtë teknologji është bërë në mesin e shekullit XX, kur SHBA-ja zhvilloi shtytës të fuqishëm.
Bashkimi Sovjetik kishte qenë i pari që kishte krijuar një raketë balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurta, të quajtur RT-2. Kjo raketë u zhvillua në mesin e viteve ’70. Këtë shembull e ndoqi edhe Franca, që zhvilloi raketën S3, që po ashtu njihet edhe si SSBS, e që është një raketë balistike me rreze të mesme veprimi.
Kina nisi testimin e raketave të tilla në fund të viteve ’90.
Koreja e Jugut tha më 14 prill se veçse ka teknologji “efikase dhe të avancuar” të shtytësve raketorë me lëndë të ngurta.
SHIKONI EDHE:
Synimet e Koresë së Veriut për test të ri bërthamorKoreja e Veriut shfaq shumëllojshmërinë e raketaveKrahasimet mes lëndëve të ngurta dhe të lëngshme
Shtytësit me lëndë djegëse të lëngshme ofrojnë fuqi më të madhe shtytëse, por kërkojnë që të kenë një teknologji më komplekse dhe peshë shtesë.
Lëndët e ngurta janë më të dendura dhe digjen mjaft shpejt, duke gjeneruar shtytje për një kohë të shkurtër. Lëndët e ngurta mund të ruhen në depo për një kohë të gjatë dhe nuk degradohen, që është një problem i zakonshëm sa i përket lëndëve djegëse të lëngshme.
SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut: Lëshimi i raketës kishte qëllim të "trembte armiqtë”Vann Van Diepen, ish-ekspert i Qeverisë amerikane për armët i cili tani punon në projektin 38 North, tha se raketat me lëndë të ngurta janë më të lehta dhe më të sigurta për t’u operuar, dhe kërkojnë më pak mbështetje logjistike. Këto karakteristika i bëjnë këto lloje raketa më vështirë që të detektohen dhe i bëjnë më jetëgjata sesa armët që operojnë me lëndë djegëse të lëngshme, tha ai.
Ankit Panda, hulumtues i lartë në Institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie, tha se çdo shtet që operon forca bërthamore të bazuara në raketa me lëndë të ngurta nuk duhet që ato t’i mbushë menjëherë para se t’i lëshojë.
“Këto aftësi janë më shumë të nevojshme në kohë krizash”, tha Panda.
Çka më tutje?
Koreja e Veriut tha se zhvillimi i raketës së re, të emëruar Hwasong-18, do të “rrisë në mënyrë radikale” aftësinë e saj për të kryer kundërsulm bërthamor.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut minimizoi rëndësinë e këtij testimi, duke thënë se Koresë së Veriut do t’i duhet “më shumë kohë dhe përpjekje” për të mësuar se si ta përdorë këtë teknologji.
Panda tha se Veriu do të përballet me vështirësi për t’u siguruar që raketa të tilla të mëdha të mos dëmtohen gjatë operimit të tyre.
Edhe pse Hwasong-18 mund të mos e ndryshojë komplet situatën, tha ai, ka shumë të ngjarë që kjo raketë të ndërlikojë përllogaritjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj në rast të ndonjë konflikti.
“Interesi kryesor i SHBA-së dhe aleatëve të saj është të ulë rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore dhe të ulë përshkallëzimin e tensioneve që mund të burojnë nga posedimi i armëve të tilla nga Koreja e Veriut ”, tha Panda.