Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPBS) njoftoi të shtunën se Millan Radoiçiq i është përgjigjur thirrjes së saj dhe se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
Të premten, Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë, Millan Radoiçiq i është përgjigjur dhe sot në orën 10, i shoqëruar nga avokati i tij, ka hyrë në ambientet e MPB-së, për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat të ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, herët në mëngjes të së dielës, 24 shtator 2023”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.
SHIKONI EDHE: Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në BanjskëMPBS-ja shtoi se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të njoftohet për deklaratën e Radoiçiqit në formë raporti, e cila më pas “do të ndërmarrë masat dhe veprimet e mëtejshme procedurale nën autoritetin e saj.”
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka falënderuar Radoiçiqin për “ruajtjen e serbëve në Kosovë”, para se të deklaronte më vonë se ai do të merret në pyetje nga drejtësia.
Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëmSveçla se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.
Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.
Radoiçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar.