Qytetarët janë duke vuajtur më së shumti nga vazhdimësia e tensioneve dhe mosbesimit mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë në një deklaratë të përbashkët të 40 organizatave joqeveritare dhe mediave të këtyre dy shteteve.
Në këtë deklaratë janë përmendur shqetësimet lidhur me ndikimin që ka mungesa e përparimit në dialogun mes dy vendeve.
“Në Kosovë, ekziston një mungesë thelbësore e dialogut dhe bashkëpunimit përmes institucioneve të zgjedhura. Parlamentarët e Listës Serbe po dështojnë të përfaqësojnë nevojat e komunitetit serb të Kosovës”, është thënë në këtë dokument, me thirrjet që Lista Serbe të jetë aktive në institucionet e Kosovës.
Lista Serbe është subjekti më i madh i serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe edhe me një kërcënim për dalje nga institucionet e Kosovës“Ura kryesore në Mitrovicë mbetet e mbyllur për qarkullim, pavarësisht investimeve të shumta të Bashkimit Evropian. Të dyja palët do të duhej të angazhohen për zgjidhjen e demarkacionit të Mitrovicës së Veriut, gjë që ka penguar procesin e rihapjes”.
Organizatat joqeveritare dhe mediat kanë bërë thirrje po ashtu që palët të punojnë edhe për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Aktualisht afati për riregjistrim të makinave skadon më 31 tetor.
Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Mes tjerash në deklaratë është thënë se ngecjet në njohje të diplomave kanë ndikuar në mungesë në stafit në institucionet e të dyjave shteteve dhe se “në Serbinë jugore, ekziston ndjesia se integrimi i komunitetit shqiptar po dëmtohet nga marrëdhëniet e tensionuara”.
“Shqetësimet që kanë të bëjnë me kryerjen e regjistrimit të popullsisë në Medvegjë do të duhej të adresohen menjëherë dhe do të duhej të bëhet një rishikim i plotë i procesit të pasivizimit”.
“Prandaj, të gjitha palët duhet të reshtin retorikën e zjarrtë që cenon dhe dëmton marrëdhëniet brenda dhe ndërmjet komuniteteve. Shtrirja e paqartësive duhet të reduktohet përmes transparencës dhe llogaridhënies”.
Shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi kanë thënë po ashtu se mbështesin çdo proces që mund të japë vrull të ri në dialog.
SHIKONI EDHE: Shqiptarët e Luginës në hall me pasivizimin e adresaveKosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.