Shtetet e QUINT-it sërish i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Më 20 maj mbushen gjashtë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.
Ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të obligueshme.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
QUINT disa herë i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses.
SHIKONI EDHE: Manastiri i Deçanit: Pritja me vite për drejtësiVendimi i Kushtetueses i vitit 2016 kundërshtohet nga qeverisja lokale e Deçanit, e cila refuzon ta zbatojë atë, duke pretenduar se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e Manastirit të Deçanit. Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t'i dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.
Më 4 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.
Kurti deklaroi se Qeveria e tij do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por shtoi se edhe liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre, gjegjësisht të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.
Dioqeza e Rashkës kërkon zbatimin e vendimit të Kushtetueses
Të premten ka reaguar edhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, duke shprehur shqetësim për “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.
Dioqeza tha se deklaratat, siç i quajti, të papërgjegjshme dhe provokuese të zyrtarëve në Prishtinë, nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe pajtimit në Kosovës dhe inkurajojnë mostolerancën etnike dhe fetare ndaj Kishës Ortodokse Serbe.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për vendosjen e një sundimi efektiv të ligjit, të drejtave dhe respektimit të të drejtave të njeriut për Kishën Ortodokse Serbe dhe pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se “nuk ka sundim të ligjit në institucionet e Prishtinës”.
SHIKONI EDHE: Manastiri i Deçanit midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutivEdhe në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, që u publikua në prill të këtij viti, u vu në dukje refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar këtë vendim.
Ndryshe, më 24 shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një letër kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e informoi për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, me të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll.
Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese theksoi se ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.