Qeveria e Kosovës ka thënë se e ka për obligim zbatimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare, kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë, lidhur me kërkesën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS - Republika e Kosovës.
Esbobar ka thënë të mërkurën për televizionin lokal, Kanal 10, se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Kuintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
“Ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato", ka thënë Escobar.
SHIKONI EDHE: Escobar: Arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javëshAfati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.
Në të, Qeveria u ka bërë sërish thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i riregjistrojnë makinat duke “përfituar nga lirimi tatimor e doganor”.
“Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS”, është thënë në përgjigje.
Çfarë do të thotë kjo?
Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.
Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet për 2.558 euro.
Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.
Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.
Pra, 2,615 euro më pak për një makinë të tillë.
Tensionet rreth targave
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
SHIKONI EDHE: Borrell për REL: Çështja e targave, më e vështirë për t'u zgjidhurKosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.