Qeveria e Kosovës sërish është shprehur kundër një tërheqjeje të re të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, i njohur si Trust.
Në mbledhjen e Qeverisë më 1 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nëse Kuvendi voton për një tërheqje të re nga Trusti, ky do të ishte "rrënim" i kursimeve të qytetarëve.
Ai argumentoi se nga një vendim i tillë do të përfitonin një pjesë e vogël e qytetarëve.
“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse mbi gjysma e tyre janë joaktive në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro, kurse 80 për qind të llogarive apo mbi 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1,100 euro në llogari. Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive, pra që kanë afërsisht gjysmën e mjeteve të akumuluara, 1.2 për qind përafërsisht e individëve që kanë llogari në Trust kanë në mesatare 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve me llogari të hapura në Trust”, tha Kurti.
Kurti tha se për shkak të rritjes së çmimeve të disa produkteve ushqimore, Qeveria më herët ka ndërmarrë vendime, në ndihmë të kategorive më të prekura, siç janë ata që përfitojnë skemat sociale dhe pensionistët. Ai kujtoi se ekzekutivi kishte dyfishuar ndihmat e skemave sociale për dy muaj dhe kishte dhënë 100 euro shtesë për çdo pensionistë.
SHIKONI EDHE: “Po blej më pak e më lirë”Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti.
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
SHIKONI EDHE: A është zgjidhje tërheqja e parave nga Trusti?Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.
Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër një tërheqje tjetër të mjeteve të Trustit.
*Në versionin e parë të lajmit kemi raportuar se Qeveria ka dyfishuar ndihmat sociale dhe ka ndarë 100 euro për pensionistët. Kjo kishte të bënte me vendimet e mëhershme të Qeverisë dhe jo të mbledhjes së 1 qershorit.