Qeveria krijon skemë të re pensionale për të larguarit nga puna në vitet ’90

Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet në ligjin për pensionet, duke u mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90 të përfitojnë nga pensioni kontributpagues.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u miratuan ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ku u krijua edhe një skemë e re e quajtur skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.

Në këtë skemë do të futen qytetarët që janë larguar nga puna në vitet ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi dhe për rrjedhojë nuk kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh për të përfituar nga pensioni kontributpagues.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me këto ndryshime, të gjithë pensionistët do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Përmes tij [plotësim-ndryshimit të ligjit] do të adresojmë çështjet e pabarazisë disavjeçare të mosnjohjes të së drejtës pensionale në skemën pensionale të kontribut-paguesve për një numër të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vjetësh kontribut në ish-sistemin pensional. Për ta eliminuar këtë diskriminimin për të gjithë ata që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet ’90, si Qeveri po shtojmë një skemë të re pensionale, skemën e pensionit parcial kontributpagues”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se sipas vlerësimeve aktuale, kjo skemë është përllogaritur se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.

Ai tha se lartësia e pensionit për skemën e re do të përcaktohet bazuar në vitet që pensionistët kanë kontribuar në Fondin Pensional, i cili është përvetësuar nga Serbia.

SHIKONI EDHE: Fondi në Serbi, pensionistët për 21 vjet pa pension

“Vlerësimet tona janë se aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që marrin pension bazik, por që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontribut-pagues të moshës”, tha Murati.

Ministri Murati tha se shpreson që pasi këto ndryshime të dërgohen në Kuvend, deputetët t’i miratojnë shpejt ato.

"Me plotësim-ndryshimin e këtij ligji ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’iu mundësohet që për periudhën prej kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, pra t’iu llogaritet drejt plotësimi i kushtit prej 15 vjetësh", tha Murati.

Ndryshime sa i përket kushtit prej 15 vjetësh stazh janë kërkuar që një kohë të gjatë nga sindikatat e punëtorëve.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.