Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes të së martës, miratoi një koncept-dokument për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që u tha se i hap rrugë hartimit të një projektligji për këtë çështje.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Projektligji për konfiskimin e pasurisë do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave të dyshuar, edhe nëse ndaj tyre nuk ka aktgjykim të formës së prerë.
“Inicimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme i bën më efikase institucionet përkatëse në konfiskim të pasurisë sepse nuk kërkohet siç përcaktohet me legjislacionin aktual, që një herë duhet të dënohet personi me aktgjykim dënues e pastaj të fillojë procedura e konfiskimit ndaj tij. Kjo po e zgjat jashtëzakonisht procesin e konfiskimit dhe po e bën të padobishëm sistemin ligjor të konfiskimit”, tha Haxhiu.
SHIKONI EDHE: Konfiskimi i pasurisë së paligjshme, sfidon vendosmërinë e GjyqësoritAjo tha po ashtu se do të themelohet edhe një agjenci e pavarur, e cila do të iniciojë procedurat ndaj personave që dyshohet se kanë përfituar pasuri të pajustifikuar apo të paligjshme.
Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Shumë hetime e pak dënime ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsionSipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.
Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.
Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro.