Qeveria në hije e Mianmarit do të krijojë forcën e saj policore

Forca policore në Mianmar. Fotografi nga arkivi.

Një Qeveri paralele, e cila kundërshton regjimin ushtarak në Mianmar, ka bërë të ditur të martën se është duke formuar forcën e saj policore, teksa tenton të pengojë përpjekjet e juntas për të qeverisur, prej puçit të vitit të kaluar.

Mianmari është përballur me trazira prej rrëzimit të Qeverisë së zgjedhur të Aung San Suu Kyis, duke i dhënë fund qeverisjes njëdekadëshe të demokracisë.

SHIKONI EDHE: Aung San Suu Kyi dënohet me pesë vjet burg për korrupsion

Në të njëjtën kohë janë forcuar grupet opozitare, që janë të vendosura për të detyruar gjeneralët të dorëzojnë pushtetin.

Ushtria i ka shpallur kundërshtarët e saj si “terroristë”, duke përfshirë Qeverinë Kombëtare në hije, një aleancë e përbërë nga grupet anti-juntës.

Kjo Qeveri në hije ka thënë se është e gatshme të marrë përgjegjësinë për zbatim të ligjit përmes një force policore të pranuar nga njerëzit.

Qëllimi i saj është që të “marrë veprime ligjore kundër këshillit ushtarak terrorist, për shkelje të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës dhe akteve të terrorizmit kundër popullit”, ka thënë Qeveria në hije përmes një deklarate.

Ende nuk është bërë e qartë si do të veprojë kjo forcë dhe sa anëtarë do të rekrutojë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 700,000 njerëz janë zhvendosur si pasojë e luftimeve dhe jostabilitetit në Mianmar, prej kryerjes së puçit.