Mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike është një nga problemet që po e përcjell Kosovën që nga periudha e pasluftës. Gjatë viteve të fundit, vlerësohet se gjendja është përmirësuar, ndonëse si problematikë, furnizimi i rregullt me energji elektrike vazhdon të jetë ende i pranishëm.
Ndërprerjet e rrymës janë bërë pothuajse të përditshme në Kosovë. Reduktimet e herëpashershme paralajmërohen përmes njoftimeve zyrtare ditore nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) rithekson se nuk kanë asnjë përgjegjësi sa u përket reduktimeve që po ndodhin me energji, dhe se sipas tyre, përgjegjësia bie mbi Kompaninë e distribucionit dhe shitjes së energjisë elektrike, (KEDS/KESCO)
SHIKONI EDHE: Ndërprerjet e pashpjegueshme të rrymësKEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, siç parashihet me ligj, e ka për obligim furnizimine pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës, që aktualisht prodhon deri në 800 megavat orë energji elektrike.
Por, në Qeverinë e Kosovës ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike i konsiderojnë të patolerueshme.
Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa u përket ndërprerjeve që po ndodhin muajt e fundit, ato nuk janë rezultat i mungesës së energjisë elektrike, por punimeve që janë të domosdoshme.
“KEDS/KESCO është duke importuar tërë sasinë që nevojitet për ta mbuluar gep’in (zbrazëtinë) në mes të kërkesës dhe prodhimit vendor. Ndalesat kanë të bëjnë me punë të planifikuara si rezultat i mirëmbajtjes dhe investimeve në rrjetin elektrik. Ne gjithmonë i informojmë konsumatorët 48 orë para çdo ndërprerjeje të planifikuar”.
“Në ndonjë rast ndërprerjet ndodhin edhe si pasojë e prishjeve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm, si kushtet atmosferike, si rrjedhojë e rrjetit të vjetruar, të cilin e kemi trashëguar në gjendje të tillë”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.
Buzhala shton se për përmirësimin e rrjetit të vjetruar po bëjnë investime masive dhe mirëmbajtje të vazhdueshme, por, që siç thekson ai, rrjeti nuk mund të optimalizohet për kohë kaq të shkurtër.
SHIKONI EDHE: Qindra miliona euro të investuara nuk e nxorën Kosovën nga kriza energjetikeMinistri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se situata më energji elektrike krahasuar me të kaluarën është më stabile, por, se sipas tij, nuk duhet të ketë ndërprerje të energjisë me arsyetimin e rrjetit të vjetërsuar.
“Ne e kuptojmë që rrjeti është i vjetërsuar dhe kjo është marrë për bazë edhe nga KEDS-i kur është privatizuar dhe e ka ditur që ku është sistemi dhe nuk është diçka që është e panjohur që është rrjet i vjetërsuar, por KEDS është deklaruar dhe dakorduar që në 5 vitet e para nga privatizimi, KEDS-i ka investuar mbi 100 milionë euro në rrjet me qëllim të përmirësimit të rrjetit dhe stabilizimit me energji. Ne e dimë që situata është stabilizuar në krahasim me atë se si ka qenë, por nuk mund të jemi në vazhdimësi në arsyetimin se rrjeti është i vjetërsuara”, thekson Lluka.
Ministri Lluka shton se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) si zyrë e vetme që përfaqësohet nga Kuvendi i Kosovës për monitorimin dhe rregullimin e tregut energjetik duhet të jetë më e prerë në këtë çështje.
“ZRRE e ka për obligim që të bëjë një monitorim dhe auditim nëse KEDS-i thotë që rrjeti i vjetërsuar dhe mbingarkesa ka qenë arsye e ndërprerjes së energjisë elektrike, ZRRE-ja e ka për obligim ta monitorojë. Nëse kjo është e vërtetë, nuk ka një mekanizëm që e ndëshkon, por nëse nuk është e vërtetë janë mekanizmat dhe ndëshkimet që mund të ndodhin”, thotë Lluka.
Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji thotë për Radion Evropa e Lirëse se i kanë tërhequr vërejtjen dhe kanë kërkuar nga operatori i furnizimit me energji elektrike (KESCO) dhe ai për distribuim të energjisë (KEDS) ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve.
Murtezaj shton se i kanë kërkuar edhe mosaplikim të ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike në emër të mirëmbajtjes gjatë sezonit të dimrit, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme, pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit me energji elektrike.
“Me këtë qëllim, ZRRE-ja me intensitet të shtuar është duke i monitoruar të gjithë operatorët në mënyrë që të sigurohet se janë duke u respektuar ligjet dhe kushtet e licencave që kanë këta operatorë. Nga monitorimet e ZRRE-së, vërehet se jo gjithmonë arsyet e ndërprerjes së furnizimit me energji janë për shkak të riparimeve apo mirëmbajtjeve".
"Shpesh ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike ndodhin edhe për shkak të motit të keq, ndërprerjeve të paplanifikuara të gjeneratorëve apo ngarkesave të rrjetit në zona të caktuara gjatë ditëve kur mbretërojnë kushte të vështira atmosferike”, thotë Muretzaj.
Ajo shton se ZRRE-ja është në proces të monitorimit të operimeve të të licencuarve dhe në rast se vërehen shkelje të kushteve të licencave do të ndërmerren masa në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi.
Konsorciumi turk “Çalik-Limak”, i cili që nga viti 2013 ka marrë nën menaxhim Distribucionin e Furnizimit me Energji Elektrike kishte premtuar investime në rrjet, furnizim stabil të energjisë elektrike dhe zvogëlim të humbjeve komerciale dhe teknike.
Ky konsorcium, kishte premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë eurosh për distribuimin e energjisë elektrike.