Kosova heq kufizimin në Merdare për mallrat nga Serbia

Dyqan në Prishtinë ku shihen disa produkte nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se në pikën kufitare me Serbinë, Merdare, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.

Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.

“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”.

Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë.

Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare... ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.

Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.

“Ka dallim të mëdha kur vijnë farërat e ndryshme, që duhen për një fermë të shpezëve, dhe ato farëra shumë kollaj kontrollohen se a ka në maune armë dhe municion. Mirëpo, kur janë produkte të gatshme, në kuti të vogla, kjo është shumë e vështirë. Nuk mund t’i hapësh të gjitha kutitë. Prandaj kemi kërkuar skanerë. Që një maune të hyjë në skanerë”.

Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t'i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.

SHIKONI EDHE: Pse CEFTA është e rëndësishme për Kosovën?

Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.

Kryeministri serb mirëpret heqjen e kufizimit në Merdare

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se vendimi i Kosovës për heqje të ndalesës për mallrat e Serbisë në Merdare, e ka larguar tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë, dhe që gjëja më e rëndësishme tani është që serbët të mund të pranojnë me rregull furnizimet ushqimore, dhe ilaçet.

Ai ka thënë se mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë.

“Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vuçeviq nga Shkupi.

SHIKONI EDHE: Vuçiq e Vuçeviq reagojnë pas vendimit të Kosovës për heqjen e kufizimit në Merdare

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë të hënën se e përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.

"Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian", tha Oda amerikane në një njoftim për media.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, biznesmenë nga veriu i Kosovës kanë dorëzuar një peticion tek autoritetet kosovare duke kërkuar që të tërhiqen masat e qeverisë për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Oda Ekonomike e Serbisë në disa raste i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë “bllokadat e dëmshme” që po shkaktojnë pasoja si për kompanitë serbe ashtu edhe për ato kosovare.

SHIKONI EDHE: Ndalesa e importeve nga Serbia rrit çmime në Kosovë

Ndërsa Bashkimi Evropian shprehu qëndrimin se masat e autoriteteve të Kosovës janë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Kosova ka qenë pjesë e Procesit të Berlinit që nga themelimi i tij në vitin 2014, dhe disa nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të kësaj nisme rajonale janë marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare, kualifikimeve profesionale dhe bashkëpunimit në fushën e transportit, energjisë. ekologjinë, dixhitalizimin dhe roamingun.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend - UNMIK.

Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.