Qeveria edhe ekspertët, qëndrime të kundërta për ekonominë

Pamje nga Shkupi - Foto nga arkivi

Maqedonia e Veriut është në rrugë të mbarë të zhvillimit ekonomik e social, të ngritjes së standardit dhe mirëqenies së qytetarëve, si dhe të konsolidimit e forcimit të institucioneve, thonë nga Qeveria duke dhënë vlerësime pozitive për punën e bërë, por me të cilat nuk pajtohen njohësit e rrethanave ekonomike dhe politike në vend.

Kryeministri Zoran Zaev në një takim me qytetarët në Kumanovë, ka thënë se Maqedonia e Veriut si asnjëherë më parë, ndihet e sigurt dhe se institucionet tashmë po japin rezultate konkrete.

“Unë dëshiroj t’ju bind se do të jemi shembull i shkëlqyer në ekonomi ashtu siç jemi shembull edhe në diplomaci para gjithë botës. Ne, në këto dy vite të qeverisjes, kemi shënuar rezultate mahnitëse. Kemi siguruar paqe të përhershme me anëtarësimin në NATO, jemi në rrugë të marrjes së datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE...".

"Unë jam i bindur se do të arrijmë edhe pagën e premtuar prej 500 eurosh. Për më pak se gjashtë muaj nga nënshkrimi i Marrëveshjes me Greqinë për emrin, kemi arritur të tërheqim mbi 600 milionë euro investime të huaja, apo katër herë më shumë se në vitin 2017. Papunësia në vend ka arritur nivelin më të ulët, nën 20 për qind. Janë hapur më shumë se 26 mijë vende të reja të punës...”, ka deklaruar Zaev.

SHIKONI EDHE: Subvencionet po e bëjnë të varur ekonominë nga shteti

Arritja e Marrëveshjes së Prespës për zgjidhjen e kontestit me Greqinë është arritje e madhe dhe këtë askush nuk mund ta mohojë, por "nuk është aspak reale të pretendosh se kemi mirëqenie të lartë, se kemi zhvillim ekonomik, apo se gjithçka ka nisur të lulëzojë", thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin “Fon” të Shkupit.

Bazuar në disa anketime të bëra, ai thotë se eksodi që ka përfshirë vendin, flet më së miri për gjendjen në vend, pasi popullata që po largohet në shtetet evropiane këtë e bën për shkak të mungesës së perspektivës në Maqedoninë e Veriut.

SHIKONI EDHE: Mjekët vazhdojnë ta braktisin Maqedoninë

Selmani thotë se ligjet që po i miratojnë institucionet janë të mira, por që nuk po zbatohen në praktikë.

“Miratimi i ligjeve është vetëm formal pasi ato nuk zbatohen në praktikë. Asnjë prej tyre nuk ka nisur të praktikohet që të ndryshojë pozitën e funksionimit të shtetit të drejtës, por edhe përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike. Sikur të kishim një standard më të lartë apo gjendje të mirë ekonomike, nuk do të kishim zbrazjen e Maqedonisë apo ikjen e popullatës. Nëse analizojmë çështjen e punësimeve, këtu nuk kemi krizë vetëm me të papunët, por edhe me ata që janë të punësuar janë në krizë pasi çdo i treti nga ta është futur në kredi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike”, thotë ai.

Ndërkohë, Goran Rafjallovski, afarist, thotë se shteti duhet të ndërtojë një strategji të qartë për zhvillimin e ekonomisë pasi gjendja momentale nuk është e favorshme pavarësisht pretendimeve të Qeverisë se me anëtarësimin e vendit në NATO, gjërat do të do të ndryshojnë.

“Ekonomia e Maqedonisë nuk ka të ardhme të mirë, pavarësisht paralajmërimeve të mëdha nga anëtarësimi në NATO dhe pritjes për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Patjetër duhet të ketë strategji kombëtare, të cilën do ta votojnë të gjitha partitë në Kuvend dhe e cila në të ardhmen do të jetë udhërrëfyes i programeve të tyre dhe realizimeve gjatë mandatit”, thotë Rafajllovski.

SHIKONI EDHE: Maqedoni: Të rinjtë pa shpresë për punësim

Se rezultate në ekonomi nuk ka, flet edhe një raport i Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoninë e Veriut, sipas të cilit efektet ekonomike të Qeverisë janë thuajse zero.

Por, nga Qeveria janë arsyetuar duke thënë se shifra është nxjerr nga vlerësimet e afaristëve gjermanë, shumë prej të cilëve, sipas ekzekutivit, sërish janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin me bizneset vendore.