Kosova gati për zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të mbajtur më 31 korrik, u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë, vendime që hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.

“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se beson dhe uron që më 1 gusht gjithçka të shkojë qetë.

"Nuk ka kurrfarë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, bllokime, destabilizim, tesione flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri. Ndërkaq, edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovëss, që kanë targa të kohës së Millosheviqit, që t’i konvertojnë në targa legale me akronimin e vendit tonë, RKS", tha Kurti.

SHIKONI EDHE:

Në veri shfaqen mesazhe kundër vendimit për targat dhe dokumentetKurti: Reciprociteti për dokumentet dhe targat serbe, në respektim të ligjit

Kurti po ashtu tha se në Serbi ka politikanë e zyrtarë, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që sipas tij janë "udhëheqës të frikës dhe frikësimit".

Këto deklarata të Kurtit vijnë pak kohë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 31 korrik në Beograd se ka frikë nga reagimi i serbëve në Kosovë, teksa bëri thirrje për qetësi.

SHIKONI EDHE: Vuçiq bën thirrje për qetësi, frikësohet nga reagimi i serbëve në Kosovë

Dy vendimet e Kosovës

Nga 1 gushti, qytetarët që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës).

Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, llogaritet qarkullojnë 10.000 makina me targa me emra të qyteteve të Kosovës, të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës) e të tjera.

Po ashtu, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, që do të hyjnë në territorin e Kosovës, do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, që do të zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse duhet të regjistrohen makinat në RKS?

Vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës nuk është pritur mirë nga autoritetet në Serbi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, më 30 korrik tha se nëse Kosova nuk heq dorë nga këto vendime, atëherë zyrtarët serbë në veri të Kosovës do të nisin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

SHIKONI EDHE: Petkoviq: Po nisim formimin e Asociacionit

Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës është marrë vendimi që të shtyhet afati për mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore serbe në targat e makinave. Ky afat është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u rritën në shtatorin e vitit të kaluar, pasi Prishtina vendosi reciprocitet për targat, duke kërkuar nga shoferët e makinave me targat serbe, që mbulonin simbolet shtetërore në targa, gjatë qarkullimit të tyre në Kosovë.

Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje të përkohshme dhe më pas në negociatat në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje, duke bërë që regjimi i letrave ngjitëse të vazhdojë.