Qeveria e Kosovës lejon organizimin e dasmave dhe ahengjeve tjera

Ilustrim.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën për lehtësim të mëtutjeshëm të masave kufizuese, me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Në arsyetimin e Qeverisë është thënë se vendimi është marrë pas uljes së numrit të rasteve të infektimit me koronavirus.

“Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit, krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 64.26%, me numër mesatar të rasteve 14.85 raste në ditë, në krahasim me dy javët paraprake me numër mesatar 41.57 raste”, është thënë në arsyetim.

Në mesin e heqjes së masave është përmendur mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës deri në orën 23:00, me 30 për qind të kapacitetit të hapësirave, por jo më shumë se 200 të ftuar në rastet kur 30 për qind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër.

Në mesin e masave tjera është përmendur që personat që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet me rrezik të lartë nga koronavirusi, duhet të kenë testin negativ për koronavirus.

Qeveria u ka ndaluar hyrjen në Kosovë personave që kanë qenë në dy javët e fundit në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, përveç qytetarëve të Kosovës dhe atyre që kanë lejeqëndrim, dhe atë me test negativ për koronavirus.

Në vendimin e Qeverisë, grave shtatzëna u është mundësuar që të punojnë nga shtëpitë.

SHIKONI EDHE: FMN: Vaksinimi dhe diaspora mund ta rrisin ekonominë 5-6 për qind 

Rastet ditore me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën 18 raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,963 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një viktimë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 22 qershor janë shëruar 14 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 165.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,673 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,253 kanë vdekur.

Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 141,008 persona.

Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Këto vaksina nuk dihet se kur do të arrijnë.