Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin "një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë".
Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.
Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.
"Drafti siguron, jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin", shkroi ajo në Facebook.
Ministrja Gërvalla tha se me konkretizimin e zotimit për themelimin e Asociaiconit, Kosova pret që Këshilli i Evropës ta përmbushë pjesën e vet "të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi, të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte".
Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg. Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.
SHIKONI EDHE: Knaus: Kosova nuk do të jetë në agjendën e KiE-së më 17 maj, letra e saj erdhi vonëGerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos.
Në letër, autenticitetin e së cilës, Qeveria e Kosovës e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, thuhet se draft-statuti që po përgatit Kosova do t'i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.
"Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe [në kuadër të obligimeve të neneve 7 dhe 10] të frymëzuar nga organizata Friedrich Ebert, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit të vitit 2024", thuhet në letër.
Nenet, që janë referuar në këtë letër, kanë të bëjnë me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Neni 7 i kësaj marrëveshjeje, parasheh sigurimin e një niveli "të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë". Aty, po ashtu, përfshihet edhe zyrtarizimi i statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Ndërkaq, neni 10 thotë se Kosova dhe Serbia konfirmojnë detyrimet e tyre që t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
Nga Qeveria e Kosovës thanë se është në dorën e bashkësisë ndërkombëtare që të pranojë "ofertën" për themelimin e Asociacionit, duke u zotuar se janë të gatshëm të zbatojnë këtë, në kuadër të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimin e raporteve.
"Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një ofertë, të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë, në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike, dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë", shkroi në Facebook zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute, përfshirë një të Bashkimit Evropian fundvitin e kaluar, por edhe nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
SHIKONI EDHE: Sa draft-statute janë hartuar për Asociacionin?Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES?
Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES-i, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.
Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.
Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.
FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.
Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori, po ashtu, është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.
Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.