Adaptimi me kushtet e jetës mbyllur në shtëpi

Prishtinë, mars, 2020.

Distancimin fizik përmes mbylljes së njerëzve nëpër shtëpi, duke shmangur kontakte me të tjerët, si masë parandaluese për përhapjen dhe shpërndarjen e koronavirusit, të rinjtë thonë se po e përjetojnë në mënyra të ndryshme.

Disa nga ta i ndanë për Radion Evropa e Lirë përvojat e qëndrimit të tyre në shtëpi. Ata thanë se pjesën e lirë të kohës të cilën e kanë kaluar me shoqëri, këto ditë po e kalojnë në shtëpi, duke shikuar TV apo duke kaluar më shumë kohë nëpër rrjete sociale. Po ashtu, me rifillimin e mësimit, disa thonë se po e kalojnë një pjesë të kohës edhe duke i ndjekur ligjëratat apo mësimet nga distanca apo online.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Dea Kahrimani, studente e vitit të dytë në kolegjin për Biznes dhe Teknologji-UBT në Prishtinë, thotë se ka filluar të adaptohet me jetën brenda mureve të shtëpisë, duke i zëvendësuar aktivitetet e botës së jashtme në shtëpi.

“Mënyra e informimit për këtë virus sigurisht që ka qenë përmes rrjeteve sociale. Kjo ka ndikuar që ne si të rinj ta kemi një perceptim pak më ndryshe dhe në fazat e para shumica e kemi konsideruar edhe si ‘shaka’. Sot duke konsideruar numrin e personave të infektuar në botë dhe ata të cilët nuk po mund t’i shpëtojnë kësaj pandemie është pak e frikshme. Shmangia e kontaktit me të tjerë si dhe masat që janë marrë sigurisht që kanë ndryshuar jetën e përditshme të secilit prej nesh në mënyrë drastike”, thotë ajo.

E mbyllur në shtëpi, Dea Kahrimani thotë se tash e ka sfidë si ta kalojë kohën.

“Duke pasur parasysh sasinë e kohës së lirë që kemi secili, paraqitet një sfidë tjetër e shpenzimit të saj (kohës) në mënyrë sa më produktive në kushte shtëpie. Gjithashtu vlen të përmendet edhe mënyra se si e ruajmë shëndetin mendor, pasi që është një komponent shumë i rëndësishëm dhe që nuk duhet ta lëmë anash”, thekson Kahremani.

Ajo thotë se këto ditë është shumë e përkushtuar në muzikë, përgatitjen e recetave ushqimore, kurse për shëndetin fizik bën joga, duke shfrytëzuar platformën YouTube, ku mund të gjenden shumë video shpjeguese.

Your browser doesn’t support HTML5

Informacioni për koronavirusin mposht panikun

Ndërkaq Uarda Mehmeti, studente e vitit të parë në kolegjin “London School of Economics” në Prishtinë, thotë se adaptimi me qëndrimin në shtëpi nuk është i lehtë.

“Duke filluar nga unë që jam një studente e vitit të parë, e që jam e detyruar këto ditë të rri në shtëpi, mësimet po i vijoj përmes internetit. Atë pjesën e kohës së lirë të cilën e kam kaluar me shoqëri, tani e kaloj duke shikuar filma apo duke kaluar më shumë kohë se sa që duhet në telefon”, thotë ajo.

Uarda Mehmeti nuk e fsheh se i mungon dhe e merr malli për atë pjesën e kohës që e ka kaluar në rrethana normale me shoqëri, qoftë gjatë kafes së mëngjesit apo momenteve të daljes dhe ecjes në natyrë.

“Por, ja që kjo tani është e pamundur dhe duhet të shfrytëzojmë rrjetet sociale për të komunikuar si dhe për të parë njeri-tjetrin përmes kamerës. Sado që e gjithë kjo të jetë një monotoni nga ajo që jemi mësuar, është për të mirën e secilit”, thekson ajo.

Your browser doesn’t support HTML5

Masat për kufizim të lëvizjes zbrazin Prishtinën

Edhe Redon Peja, student i kolegjit Riinvest, ku ai studion në Shkencat Kompjuterike thotë se gjatë kësaj periudhe kohore kur të gjithë po kujdesen për shëndetin dhe po evitojnë sa të munden mundësitë për t’u prekur nga koronavirusi, ka filluar të mësohet me stilin e ri të jetës në shtëpi.

“Gjatë kësaj gjendje e kemi të detyrueshme të qëndrojmë mbyllur në shtëpi, ndonëse nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë. Si çdo student tjetër edhe unë këto ditë i mbyllur po i kaloj duke u marrë me aktivitete të ndryshme në shtëpi si p.sh. me punë rreth shtëpisë, ushtrime në shtëpi e të tjera”, thotë ai.

“Përndryshe unë jam student i vitit të tretë në kolegjin ‘Riinvest’ dhe gjatë kësaj kohe kam filluar ligjëratat online, ku me të vërtetë po ta shohësh në këndin praktik, nuk është aq e kapshme, por në pjesën teorike është mjaft mirë”, thekson Redon Peja.

Ai thotë se po gjen edhe kohë për argëtim, duke zhvilluar lojëra kompjuterike online me shoqëri, pastaj duke shikuar filma apo duke kaluar një pjesë të kohës nëpër rrjete sociale.

Ndërkaq Renea Munishi, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, thotë se për moshën dhe nivelin e saj të arsimit ende nuk ka nisur platforma e mësimit online dhe pritet që një formë e tillë e vijimit të mësimit të nisë së shpejti.

“Këto ditë jam munduar që t’i kaloj me produktivitet dhe të jem më aktive. Ditën kryesisht e kaloj me rrjete sociale, duke shikuar ndonjë film, duke lexuar ndonjë libër dhe duke kaluar kohën me familjen”.

“Edhe pse mësim nuk kemi për momentin, jemi të angazhuar me disa detyra të ndryshme nga mësimdhënësit. Me shoqet nuk po takohem, mirëpo tani jetojmë në një botë moderne me teknologji të avancuar, prandaj po flasim me anë të telefonit apo rrjeteve sociale”, ka thënë ajo.

Ndryshe, që nga 11 marsi është ndërprerë procesi mësimorë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Gradualisht mësimi po rifillohet përmes platformave online në mënyrë që ky vit shkollor të mos shpallet i humbur.